Këngëtari i mirënjohur shqiptar me famë në Itali, Ermal Meta, do të mbajë një koncert gjigant këtë të premte në Stadiumin “Air Albania”.
Ai vjen për herë të parë për të performuar në një koncert të përmasave të tilla, pas koncertit shumë të suksesshëm që organizoi tri vite më parë.
Ermali përmes një fotografie të publikuar në rrjetin social Instagram, ka shfaqur një moment nga performanca e mahnitshme e vitit 2018 në Sheshin “Skënderbeu”, ndërsa tha se mezi pret të performojë sërish në shtetin e tij amë.
“Ishte viti 2018 në sheshin ‘Skënderbeu’ në Tiranë. Një mbrëmje dhe një publik i pabesueshëm. Të premten do ta bëjmë prapë, por për herën e parë do të sjellë grupin urban në stadiumin e ri të Tiranës dhe jam i sigurt që edhe një herë do të jetë e jashtëzakonshme”, ka shkruar këngëtari me prejardhje nga Fieri në Instagram.
Pjesë e koncertit si e ftuar speciale do të jetë edhe këngëtarja tjetër shqiptare me famë në Itali, Elhaida Dani, e cila ka fituar “The Voice of Italy” në vitin 2013.
Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e ka pralajmëruar koncertin gjigant përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, duke treguar edhe kushtet pandemike nën të cilat do të organizohet ai në atë që njihet si ‘Arena Kom‘ëtare’.
“Ermal Meta rikthehet në Tiranë për të performuar në një koncert fantastik. E ftuar speciale, me një super hapje të koncertit më magjik të vitit, Elhaida Dani. Tiranë, 17 shtator 2021, hyrja nis në orën 17:00 dhe portat mbyllen në orën 19:00, Stadiumi “Air Albania”. Të gjithë të pranishmit duhet të jenë të pajisur me maska, në përputhje me rregullat anti-covid”, ka shkruar Erion Veliaj në Instagram.