Talibanët: Vajzat afgane do të studiojnë në klasa të ndara dhe do të mësohen nga gratë

Talibanët kanë njoftuar se gratë në Afganistan do të lejohen të studiojnë vetëm në universitet në klasa të ndara sipas gjinisë dhe veshja islame do të jetë e detyrueshme, duke nxitur frikën se një ndarje gjinore do t’i imponohet vendit nën regjimin e ri.

Të Shtunën, talibanët ngritën flamurin e tyre mbi pallatin presidencial në 20 vjetorin e sulmeve të 11 Shtatorit, duke sinjalizuar se puna e tyre për të qeverisur emiratin islamik të sapoformuar kishte filluar. Flamuri i bardhë u ngrit nga Mulla Mohammad Hassan Akhund, kryeministri i qeverisë së përkohshme talibane.

Ministri i Arsimit të Lartë, Abdul Baqi Haqqani, vendosi një sërë rregullash që do të qeverisin qasjen e grave në arsimin e lartë në Afganistan. Duke folur në një konferencë për shtyp, Haqqani tha se gratë do të lejoheshin të vazhdonin arsimin e tyre universitar, por do të ishte e detyrueshme të mbanin një hixhab. Ishte e paqartë nëse kjo nënkuptonte një shami apo se fytyrat e grave do të duhej të mbuloheshin plotësisht.

Ndarja gjinore gjithashtu do të zbatohet në të gjitha universitetet, që do të thotë se burrat dhe gratë do të duhet të mësohen në klasa të veçanta.

“Ne nuk do të lejojmë që djemtë dhe vajzat të studiojnë së bashku, ne nuk do të lejojmë bashkë-edukim,” tha ai. Studentët femra gjithashtu do të lejohen të mësohen vetëm nga gratë. Haqqani tha gjithashtu se lëndët që mësohen në universitete do të rishikohen.

Talibanët kanë premtuar se qeveria e tyre e re do të jetë më përfaqësuese dhe respektuese e të drejtave të grave dhe vajzave, edhe pse akoma brenda një “kornize islame”, sesa kur ata më parë mbajtën pushtetin midis 1996 dhe 2001.

Atëherë, gratë u penguan të shkonin në shkolla dhe puna, nuk u lejuan të dilnin nga shtëpia pa një udhëheqës mashkull dhe u detyruan të respektonin ligjet që qeverisnin “virtytin femëror”.

Axhenda e plotë e talibanëve ende nuk është shpallur. Sidoqoftë, si në regjimin e mëparshëm, nuk ka asnjë grua të vetme në kabinet, pavarësisht premtimeve për një qeveri “gjithëpërfshirëse” dhe gratë janë ndaluar nga sportet.

Në një intervistë të fundit në kanalin televiziv “Tolo News”, zëdhënësi i talebanëve Sayed Zekrullah Hashimi tha se roli i grave ishte të lindnin dhe të rritnin fëmijë, duke shtuar se “nuk ishte e nevojshme që gratë të ishin në kabinet”.

Politikat e reja arsimore shënojnë një largim domethënës nga mënyra se si universitetet funksiononin më parë. Para rënies së Kabulit në duart e talebanëve më 15 gusht, universitetet në të gjithë Afganistanin kishin qenë bashkë-edukative dhe gratë nuk duhej të përputheshin me asnjë kod veshjeje.

Numri i studenteve femra në arsimin e mëtejshëm kishte arritur nivele rekord, dhe institucionet si Universiteti Herat dhe Universiteti Ghalib në Kabul kishin më shumë studente femra sesa meshkuj.

Që në momentin që talebanët morën pushtetin, shumë studente femra kanë qëndruar në shtëpi nga pasiguria dhe frika, dhe gratë që dolën në rrugë në protestë ditët e fundit duke kërkuar të drejta të barabarta u pritën me dhunë dhe armë zjarri.

Megjithatë, shumë kanë vënë në dyshim realizueshmërinë e rregullave të reja të arsimit, në veçanti sesi universitetet dhe zyrat do të ishin në gjendje të përballonin koston e ndarjes dhe të ndanin mësimet dhe hapësirat vetëm për gratë.

Mungesa e objekteve dhe mësueseve femra tashmë po shkakton probleme në universitete, me disa institucione që u thonë studentëve se nuk do të kenë mundësi tjetër veçse të ndalojnë drejtimin e kurseve të caktuara për gratë.

Heather Barr, bashkëdrejtore e divizionit të të drejtave të grave në Human Rights Watch, tha se qasja e talebanëve ishte ajo “ku gratë, në teori, lejohen të vazhdojnë disa nga funksionet e tyre të përditshme, por vetëm nën kufizime që në thelb i bëjnë ata të veprojnë në një botë që është krejtësisht e ndarë nga djemtë dhe burrat ”.

Përjashtimi i grave nga të folurit me burrat në zyra dhe universitete do të kontribuonte në përjashtimin e tyre nga jeta publike më gjerë, tha Barr.

“Ka shtresa të ndryshme diskriminimi për këtë, që do të thotë se do të ketë një ndikim vërtet shkatërrues tek gratë dhe vajzat,” shtoi ajo.