Mustafa për hapjen e arkivave të UÇK-së: Kanë pranuar barazimin e agresorit me viktimën, është e padrejtë dhe e tmerrshme

Të martën dhe të mërkurën Kosova dhe Serbia kanë mbajtur takime bilatrale dhe trilaterale në Bruksel, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Pas këtyre takimeve në Bruksel, zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi tha që pala serbe është dakorduar që të hapen të gjitha arkivat, duke përfshirë edhe arkivat e Kosovës për UÇK-në.

“Pala serbe ka thënë se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat. Të gjitha arkivat, sipas tyre nënkupton që edhe të hapen arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në. Mendoj që kjo fillimisht është në interes tonë për arsye se shumica e varrezave masive ku pretendohet se janë pjesët e mbetura të mbi 1,600 qytetarëve ndodhen në këto varreza, për të cilat informata kanë kryesisht arkivat ushtarake të Serbisë”, kjo deklaratë e Bislimit nxiti reagime të shumta nga politikanët e veteranët e UÇK-së.

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në një prononcim për Infosot.com, e quan veprim të pa vend sepse në këtë rast kanë pranuar që të barazohet agresori me viktimën, gjë të cilën, Mustafa e quan të padrejtë dhe të tmerrshme.

“Delegacioni ynë mund të hapë budallallëqet dhe krekosjet e disa individëve që shkruanin libra rrahagjokëse pas lufte dhe asgjë tjetër. Por zotimi i tillë e ka dëmtuar rëndë Kosovën dhe luftën çlirimtare, sepse kanë pranuar barazimin e agresorit me viktimën gjë që është e padrejtë dhe e tmerrshme“, tha Mustafa.

Ish-kryetari i LDK-së, shprehet se nuk është i sigurt nëse Kosova ka arkiva për të cilat ka folur Bislimi, pasi që Serbia ka qenë shtet dhe ka kryer luftë e masakra me politikat shtetërore.

“Unë nuk jam i sigurt se Kosova ka arkiva të tilla dhe se ka çfarë të hapë. Serbia ka qenë shtet dhe luftën e ka zhvilluar, edhe masakrat, me politika shtetërore. Ne jo!“.

Tutje thekson se gjatë kohës sa ka qenë kryeministër i Kosovës, ua ka bërë të qartë ndërkombëtarëve se Kosova kërkon përgjigje nga Serbia për të zhdukurit dhe të pagjeturit, teksa sqaron se si KM “nuk mund të marrë përgjegjësinë si kryeministër të jap përgjigje dhe informatë për asnjë të pagjetur serb apo tjetër, sepse si shtet nuk kemi asnjë evidencë për asnjë ngjarje të tillë“.

“Sa kam qenë kryeministër ua kam bërë të qartë ndërkombëtarëve se ne kërkojmë nga Serbia përgjigje për të zhdukurit dhe të pagjeturit tanë, por se unë nuk mund të marrë përgjegjësinë si kryeministër të jap përgjigje dhe informatë për asnjë të pagjetur serb apo tjetër, sepse si shtet nuk kemi asnjë evidencë për asnjë ngjarje të tillë“, përfundon Isa Mustafa.