Kurti ndryshon rregulloren: Lejohet shtimi i këshilltarëve nëpër disa ministri

Qeveria Kurti ka ndryshuar rregulloren që rregullon punën dhe stafin e ministrave.

Duke prezentuar ndryshimin e rregullores, Kurti ka qartësuar se disa ministrave u lejohet që të kenë deri në 10 këshilltarë.

“Në rastet kur janë fuzionuar dy ose më shumë ministri, atëherë ministri mund të ketë deri 10 këshilltarë të brendshëm politikë”, ka thënë Kurti, duke potencuar edhe pesë këshilltarë të jashtëm.

Gjithë këtë ndryshim ai e ka arsyetuar me zotimin e tyre zgjedhor për rritje efikasiteti.

“Siç jemi zotuar në programin qeverisës për të përmirësuar mënyrën e punës, organizimit dhe funksionimit të Qeverisë, po e përditësojmë edhe kornizën ligjore. Si rezultat i fuzionimit të ministrive, është rritur fushëveprimi dhe janë rritur përgjegjësitë e tyre, prandaj me qëllim të ngritjes së kapaciteteve dhe efikasitetit në qeverisje po e procedojmë këtë rregullore”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.