Çka tha Vitia për idenë e shtyrjes së zgjedhjeve dhe shkurtimin e fushatës?

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia në konferencën e sotme për shtyp ka komentuar edhe idenë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale që janë planifikuar të mbahen më 17 tetor si dhe atë për shkurtimin e fushatës.

Sipas tij, vendimi për shtyrje ose jo do të merret bazuar në rekomandimet e ekspertëve.

“Ky është një vendim i cili do të merret kryekëput nga rekomandimet dhe nga vlerësimi i situatës në terren nga ekspertët tanë konkretisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publike, por jo vetëm  dhe çdo rekomandim i tyre pastaj do të diskutohet dhe do të respektohet”.

“Në baza ditore marrim analiza nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Pubik, në baza javore marrim analiza, këto analiza nuk kanë çështje specifike siç janë zgjedhjet ose fushata mirëpo në analizat epidemiologjike edhe në rekomandmet e Insititut Kombëtar të Shëndetit Publik rekomandimet janë që të evitohet cdo grumbullim i qytetarëve”.

“Për çështjen specifike, për zgjedhjet unë besoj që në momentin e parë ku kërkohet një rekomandim për zgjedhjet ose shkurtim të fushatës, Inistituti në bazë të situatës do ta jap këtë rekomandim. Për momentin masat janë të tilla që ndalojnë grumbullimet të cilat janë me rrezikshmëri dhe pavarësisht se sa ditë vendoset fushata ne do të kujdesemi për respektim të masave”.

I pari i shëndetësisë në vend  deklaroi se nuk do të ketë lirim të masave edhe pas 13 shtatorit.

Ai thotë se në bazë të analizave të IKSHPK-së do të jetë e nevojshme vaksina e tretë për çka kanë filluar edhe negocimin për blerjen e 1 milion vaksinave të tjera.

“Do të kemi në konsideratë edhe administrimin e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 sipas rekomandimeve të fundit që na kanë ardhur nga IKSHPK-ja, kurdo që shihet e domosdoshme. Kjo vlen sidomos për grupet më të ndjeshme të popullatës. Grupi negociues i ministrisë së Shëndetësisë vetëm ka filluar negocimin me kompanitë prodhuese për sigurimin edhe të 1 milion vaksinave të tjera për këtë gjë për vitin tjetër”.