PDK kundër deklarimeve të Konjufcës: Nuk jemi për shtyrje zgjedhjesh

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dalë kundër propozimit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca që zgjedhjet lokale të shtyhen për një datë tjetër. Nga kjo parti për Periskopin kanë thënë se zgjedhjet duhet të mbahen në datën e përcaktuar.

Zëdhënësi i PDK’së, Faton Abdullahu, ka thënë se këto zgjedhje nuk duhet të mbahen me tubime e grupime të njerzëve, por duhet të respektohen masat e vendosura nga IKSHPK.

“Ne, si Parti Demokratike e Kosovës, nuk jemi që zgjedhjet lokale të shtyhen. Ato duhet të mbahen në kohën kur janë planifikuar. Mirëpo, Zgjedhjet e Tetorit, nuk duhet të mbahen në mënyrë konvencionale, me tubime e grupime të njerëzve, por duhet që në mënyrë strikte të respektohen masat dhe rekomandimet e IKShPK.”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka theksuar se nuk i besojnë Qeverisë Kurti sepse sipas tij, mendësia e qeverisë dhe mos-veprimi i saj ka bërë gjendjen alarmante në terren.

Nga PDK po ashtu janë shprehur të shqetësuar edhe për gjendjen në arsim, ku është shtyer fillimi i vitit të ri shkollor.

“Nëse duhet, në përputhje me gjendjen në terren dhe rekomandimet e institucioneve përgjegjëse, ato masa duhet të ndryshohen e plotësohen. Në anën tjetër, nëse arsyetimi për shtyrjen e zgjedhjeve është se me këtë mbrohet shëndeti i qytetarëve, gjë që është, atëherë është e vështirë, në të vërtetë krejt e pamundur, për t’i besuar kësaj mendësie, tashmë institucionale politike. Me veprime, përkatësisht me mosveprime, tash e një kohë, kjo qeverisje ka krijuar gjendjen në terren e cila thjeshtë është bërë alarmante dhe e rrezikshme për jetën e qytetarëve të Kosovës dhe për fat të keq edhe për shumë procese e zhvillime, sidomos në fushën e arsimit.”, ka thënë ai për Periskopi.

Ndryshe edhe partia tjetër opozitare LDK, ka dalë kundër që të shtyhen zgjedhjet lokale.

Kujtojmë që zgjedhjet lokale janë paraparë që të mbahen me 17 tetor.