Masat e reja në Shqipëri: Edhe turistët po kthehen në kufi

Në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit në anën malazeze, shumë automjete po i drejtohen Shqipërisë.

Por, nga kjo e hënë, të gjithë shtetasit e huaj dhe shqiptarët nuk lejohen të futen në vendin tonë pa patur me vete një përgjigje negative të tamponit në 24 orët e fundit, pasaportën e vaksinimit apo vërtetim nga mjeku se gjatë muajve të fundit ka kaluar infektimin me coronavirus.

Disa të rinj nga Ukraina, të cilët do të kalonin tranzit për nga Shqipëria nuk u lejuan të kalonin për shkak se nuk plotësonin asnjë nga kriteret e përcaktuara

“Ne kishim testet PCR por ishin të vjetra dhe nuk na lejuan. Duam të shkojmë në shtëpi por jemi tranzit për nga Shqipëria. Na kthyen pas. Tani në Mal të Zi dhe do të bëjmë sërish testet e reja dhe do të tentojmë të futemi ne Shqipëri”.

Nga data 1 shtator dhe deri më sot përmes pikës së kalimit kufitar në Muriqan kanë hyrë dhe kanë dalë mbi 50 mijë shtetas pa asnjë kontroll nëse janë të infektuar me coronavirus apo jo. Pjesa më e madhe e tyre janë shtetas nga Kosova, të cilët kanë përfunduar pushimet e tyre në Ulqin, komunë kjo në zonën e kuqe të infektimit me Covid 19 në Mal të Zi./TCH