Mjekët thellësisht të pakënaqur me Kurtin: Shtesa prej 60 eurosh është qesharake

Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen “Emshir” në Prishtinë numër i madh i qytetarëve kanë pritur të testohen me teste rapid për Covid-19.

Sherif Makolli, kryetar i Sindikatës së Qendrave të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, tha se deri në 350 pacientë po testohen në këtë qendër.

Makolli tha se kushtet janë të mira, derisa i ka quajtura qesharake shtesat e fundit të ndara për stafin shëndetësor prej 60 euro.

Ai tha se shtesa është shumë e vogël duke u bazuar në punën që e bëjnë.

“Interesimi është jashtëzakonisht i madh, për gati çdo ditë 300 deri në 350-60, disa herë nuk mundemi me nuk përgjigj edhe të gjitha kërkesave”, tha ai, raporton EO.

“Procedura deri sa vjen te testimi është 10-15 minuta më së shumti, mirëpo problemi është se kur bëhet radhë e madhe jashtë atëherë mund të ndodhë 1 deri në dy orë. Për kushtet nuk mundemi me u ankuar, mirëpo revolta dhe pakënaqësitë e punëtorëve janë të mëdha”.

“Unë jam edhe kryetar i Sindikatës dhe tash me ndarjen e shtesave me të vërtet na kanë irrituar dhe është shtesë qesharake dhe ofenduese për punëtorët. Është shumë e vogël duke u bazuar me punën dhe kemi presion shumë të madh”.

“Nesër e kemi këshillin e FShSK-së dhe besoj që aty do të merret një vendim”, përfundoi Makolli.

Halit Krasniqi i cili ka ardhur për të testuar tha se gjithçka po shkon siç duhet.

Edhe pse nuk ka për të udhëtuar jashtë vendit, ai tha se ka dëshirë të dijë se a është pozitiv apo negativ në mënyrë që të kujdeset për shëndetin.