Pas vendosjes së masave të reja antiCOVID në vend, zyrtarët policorë janë duke përcjellur nga afër qytetarët, institucionet por edhe bizneset për respektimin e këtyre masave.
Përpos atyre të uniformuar, zyrtarë të shumtë policorë janë edhe civilë duke kontrolluar nga afër se sa po mbahet maska dhe sa po respektohen masat e tjera ndaj koronavirusit.
Shumë prej këtyre qytetarëve janë gjobitur për mos-mbajtje të maskës apo distancës.
“Policia e Kosovës sipas planit operacional për parandalimin e pandemisë COVID-19, ka angazhuar në terren zyrtarët policorë në rroba civile, të cilët do të operojnë në nivel vendi.Të njejtit do të kujdesen për zbatimin dhe respektimin e masave, përfshirë përdorimin e maskave nga ana e qytetarëve, respektimin e masës për vetë-izolimi të personave që nënshkruajnë deklaratën nën betim për vetë-izolim si dhe do të jenë prezent në ambiente më shumë të frekuentuara”, thuhet në njoftimin për media.
Duhet përkujtuar që gjatë javëve të fundit në kuadër të vendit pati një rritje të madhe të numrit të rasteve me koronavirus si dhe atyre që humbën jetën.