Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti, përmes platformës digjitale realizoi një takim zyrtar me zëvendësdrejtorët, drejtorët e departamenteve, divizioneve, drejtorët rajonal si dhe drejtorët e drejtorive, për të diskutuar rreth realizimit të objektivave dhe planifikimeve operacionale në lidhje me vendimet e fundit të institucioneve të vendit për pandeminë COVID-19, si dhe tema tjera të rëndësishme që ndërlidhen me punën policore.
![]()
“Referuar vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe referuar planifikimeve operacionale policore, drejtori Mehmeti kërkoi nga eprorët policorë që të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme të ndërmerren sipas vendimit të Qeverisë, në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucionet e tjera relevante, konform angazhimeve dhe detyrave sipas planit të paraparë”, thuhet në njoftimin për media.
Gjithashtu u theksua se planifikimet operacionale kanë për qëllim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe lokale që janë kompetent për luftimin dhe parandalimin e rreziqeve nga virusi në fjalë si dhe përballjen me situatat e këtij lloji, në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë.
![]()
“Me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, Policia e Kosovës sipas planifikimeve ka filluar me kohë realizimin e detyrave konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke aplikuar kontrolle të përbashkëta në trafik, në transportin e udhëtarëve, në qendra tregtare, lokale afariste, pika kufitare etj., përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa”.
Policia njëkohësisht ka apeluar tek qytetarët,institucionet dhe bizneset që të respektojnë vendimet e fundit të marra nga qeveria e vendit, që t’u përmbahen rregullave dhe të respektojnë masat anti COVID, në mënyrë që edhe një herë të arrijmë t’i ulim shifrat e të prekurve dhe të mbrojmë të gjithë së bashku shëndetin publik, në të kundërtën do të merren masa ndëshkuese.
![]()











