Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, filloi ditën me një takim të përbashkët me u.d. të Kryeshefit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Flamur Kadriu dhe inspektorët e Agjencisë.
Takimi u zhvillua një ditë pas mbledhjes urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e cila për shkak pati përkeqësimin e gjendjes me pandeminë, transmeton lajmi.net.
Kryeministri Kurti i njoftoi inspektorët për vendimet nga ai takim dhe foli për rëndësinë e zbatimit të masave kundër pandemisë të marra në mbledhjen e 32-të të Qeverisë. Ai tha se kemi hyrë në një fazë të re të mbikëqyrjes së zbatimit të masave, dhe se zbatueshmëria e tyre i jep masave legjitimitet, përveçse siguron efektshmërinë e tyre.
Aktualisht, po përballemi me variantin më të rrezikshëm të virusit, atë Delta, andaj në një situatë që nuk është e zakonshme, nuk mund të sillemi si zakonisht. Angazhimi i gjithsecilit duhet të jetë një që s’e kemi bërë më parë, nënvizoi kryeministri Kurti.
Kryeministri po ashtu shtoi se Qeveria i është përgjigjur kërkesës së AUV-it për të rritur numrin e inspektorëve, duke e gjashtëfishuar atë. Me 85 inspektorë të rinj që do angazhohen, ai u shpreh se bashkë me sasinë tash duhet të rritet edhe cilësia e inspektimit.
Mbi rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të masave kundër pandemisë foli edhe zëvendëskryeministri Bislimi. Ai tha se derisa mjekët shërojnë pasojat e virusit, inspektorët kanë përgjegjësi t’i parandalojnë ato duke mbikëqyrë në mënyrë rigoroze zbatimin e masave kundër pandemisë.
Ministri i Shëndetësinë, Arben Vitia tha se shëndeti publik është mbi të gjitha. Ai shtoi se përkrah masave të reja të qeverisë, dhe angazhimit të qeverisë për një proces sa më të shpejtë të vaksinimit të qytetarëve, maskat, higjiena dhe distanca fizike vazhdojnë të mbesin qenësore në përballjen tonë me pandeminë.
Inspektorët e AUV-it u zotuan se do të angazhohen maksimalisht në vetëdijesimin e qytetarëve dhe në zbatimin e masave kundër pandemisë, me qëllim ndalimin e trendit të rritjes së infektimeve dhe përmirësimin e gjendjes me pandeminë në vend.