Prizrenasit nuk pyesin për masa kur është në pyetje dasma, ndërhyn Policia

Policia e Kosovës ka ndërhyrë në një dasmë në Prizren, e cila po mbahej në kohën kur me vendosjen e masave të reja është ndaluar organizimi i tyre.

Policia njofton se njësiti rajonal në Prizren gjatë inspektimit dhe kontrollimit në rrugën Prizren-Landovicë, në dy lokale të kafiterive, ka vërejtur se kanë punuar në kundërshtim me vendimin e Qeverisë si dhe ka intervenuar në një aheng familjar (dasmë) të organizuar.

“Për këtë, janë informuar Inspektoret të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të urdhrit të Inspektorit, kafiteritë janë mbyllur, dasma është ndaluar dhe janë shpërndarë dasmorët. Në lidhje më këtë për organizimin në kundërshtim të vendimit të Qeverisë janë shqiptuar dënime nga ana e Inspektorëve”, njofton policia.
Sipas policisëm gjatë tri ditëve të fundit janë shqiptuar 400 tiketa trafiku dhe për mosmbajtje të maskës, distancës sociale dhe organizim të ahengjeve.
“Andaj, në zbatim për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontroll, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, policia në Prizren do të vazhdojë duke vepruar gjatë gjithë kohës së bashku me Inspektorët dhe mekanizmat tjerë shtetëror në bazë të vendimit të Qeverisë dhe ligjit Nr.07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës”, njofton tutje policia.