Gjyqtari i Jovica Mitroviq ka vendosur të shtyjë seancën për kontestin mes Universitetit të Prishtinës derisa të vendoset për hudhjen ose jo të padisë për mungesë të legjitimitetit.
Ky vendim është marrë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku Universiteti i Prishtinës ka ushtruar padi më 2015. Aty thuhet se që prej 12 dhjetorit 1975, e ka në shfrytëzim patundshmërinë në sipërfaqe prej 4.27.16 ha në Prishtinë, e cila gjatë gjithë kësaj kohe thuhet se është shfrytëzuar në mënyrë të papenguar, pasi që e njëjta ka qenë pjesë përbërëse e Kampusit Universitar sipas planit detal urbanistik të Qendrës Universitare në Prishtinë.
Avokatja Shtetërore, Ilire Aydogan, e cila përfaqëson Komunën e Prishtinës, ka kërkuar të ndërpritet seanca dhe të përjashtohet gjyqtari pasi i njëjti s’mund të vendos për propozimin pa u vendos për çështjet procedurale.Ndërkohë, Komuna e Prishtinës kishte parashtruar kërkesë që të shtyhet seanca përmes avokatit të Avokaturës Shtetërore.
Madje, ka kërkuar shtyrjen e seancës për 180 ditë, mirëpo, gjykata nuk i kishte kthyer përgjigje.Përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe, Aleksandar Radovanoviq, ka kundërshtuar propozimin e Komunës së Prishtinës. Ai ka thënë se padia është bërë më 2017 dhe ka pasur kohë të mjaftueshme për mbledhjen e të gjitha shkresave.Kjo seancë ishte caktuar fillimisht të mbahej më 25 mars të këtij viti, mirëpo e njëjta ishte shtyrë, për çka kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”.
Në padi thuhet se e paditura e parë, Komuna e Prishtinës, në kundërshtim me planin urbanistik, pa bazë juridike dhe në mënyrë të kundërligjshme ia ka dhënë në shfrytëzim tani të paditurës së dytë, Kishës Ortodokse Serbe “Xh.Sh Nikolla Xh. Serpska” në Prishtinë, e cila thuhet se duke e uzurpuar tani pjesën kontestuese në mënyrë të kundërligjshme e ka ndërtuar Kishën Ortodokse “Sveti Sava”, në sipërfaqe prej 0.54.12 ha, me oborr në sipërfaqe prej 3.73.04 ha.
Tutje, në padi thuhet se bazuar në këto fakte tani paditësi sipas ligjit në fuqi, si bartës i së drejtës së shfrytëzimit të patundshmërisë, e ka të drejtën e kërkesës për kthimin e tani patundshmërisë kontestuese, pasi që e njëjta thuhet se e ka pasur në shfrytëzim dhe posedim në mënyrë të ligjshme këtë pronë.
Po ashtu, në padi thuhet se sipas Rregullores së UNMIK-ut nr.1999/24, parashihet se për të gjitha ligjet vendimet administrative dhe vendimet gjyqësore të nxjerra pas datës 22 mars 1989, që janë të natyrës diskriminuese nuk mund të zbatohen në Kosovë.Po ashtu, në padi thuhet këto veprime janë të kundërligjshme pasi që të njëjtat janë marrë nën masat e dhunshme nga autoriteti i dhunshëm ish-Këshilli Ekzekutiv Komunal, andaj sipas Rregullores së UNMIK-ut nr.1999/24, të gjitha ligjet vendimet administrative dhe vendimet gjyqësore të nxjerra pas datës 22 mars 1989, që janë të natyrës diskriminuese nuk mund të zbatohen në Kosovë.
Me anë të kësaj padie, UP-ja po kërkon nga gjykata që të aprovohet padia dhe kërkesëpadia e tij, të vërtetohet se i njëjti ka të drejtën e shfrytëzimit të patundshmërisë në sipërfaqen e përgjithshme prej 4.27.16 ha, në Prishtinë, të detyrohet Komuna e Prishtinës që të bëjë ndryshimin e bartësit të të drejtës së shfrytëzimit të paluajtshmërisë. Tutje, kërkohet që dy të paditurat t’ia kthejnë në shfrytëzim të lirë dhe të papenguar këtë patundshmëri, si dhe në mënyrë solidare të paditurat paditësit t’ia kompensojnë shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi