Kërkohet shkarkimi i Sami Kurteshit nga detyra në KQZ

Demokraci Plus ka kërkuar sot nga presidentja Vjosa Osmani që në bazë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ta shkarkojë nga detyra anëtarin e KQZ-së Sami Kurteshi, pas përfshirjes së këtij të fundit në një incident me një nëpunës të KQZ-së.

Në një komunikatë për media thuhet se me veprimet e tij, Sami Kurteshi është duke dëmtuar seriozisht integritetin e KQZ-së.

“Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, Kurteshi ka pranuar që është përfshirë në një incident me një nëpunës të KQZ-së, duke marrë përsipër rolin e policisë, në vend se të denoncoi në organet përgjegjëse personin në rast të mos respektimit të masave për mbrojtje nga COVID-19. Një ditë më herët, Kurteshi kishte deklaruar se nuk e ka sulmuar askënd. Ndryshimi i deklaratave nga një i emëruar publik është moralisht e gabuar. Ky nuk është rasti i vetëm kur Kurteshi dëmton integritetin e KQZ-së. I njëjti, në vazhdimësi në mbledhjet e KQZ-së ka përdorur gjuhë fyese dhe përçarëse, mizogjene, dhe bullizëm”, thuhet në komunikatë.