Nesër beteja juridike mes Kishës e Universitetit për tokën në Kampus

Nesër (e enjte), do të mbahet seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku do të shqyrtohet çështja se kush e ka të drejtën e shfrytëzimit të tokës mbi 4 hektarëshe, në Kampusin e Universitetit të Prishtinës (UP), ku gjendet edhe një kishë ortodokse.

E, për këtë tokë do të përballen në gjykatë UP-ja dhe Kisha Ortodokse Serbe.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja, e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Nesër në ora 10:00 në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca për këtë çështje”, ka thënë Gashi, për FrontOnline.

E, më 10 qershor të këtij viti peshkopi Teodosije i Dioçezës së Rashkës dhe Prizrenit ka mbajtur liturgji në Kishën e braktisur në oborrin e UP-së për herë të parë prej vitit 1998.

Për festën që mbahet në ditën e 40 pas krishtlindjeve ortodokste që njihet si “Dita e Ngritjes së Krishtit”, Dioçeza e Rashkës dhe Prizrenit ka mbajtur liturgji së bashku me besimtarë dhe peshkopë të tjerë.

Për këtë ngjarje, kishte reaguar ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, ku ka theksuar se për aktivitetin në fjalë, Policia e Kosovës nuk ka qenë e informuar paraprakisht duke bërë kështu që ky aktivitet të shkelë rregullat e sigurisë publikë në Kosovë.

Çështja e të drejtës së shfrytëzimit së tokës në kampusin universitar të UP-së, ka qenë objekt i gjykimit që nga viti 2012.

Universiteti i Prishtinës e kishte humbur gjyqin fillestar lidhur me këtë çështje, pasi dështuan të paraqiten në gjykatë në seancën për këtë kontest në vitin 2015.

Më pas, edhe Gjykata e Apelit në vitin 2017 i dha të drejtë kishës për pronësinë e tokës duke e hedhur poshtë padinë e UP-së.

Në po atë vit, universiteti inicioi një padi të re për të cilën nuk u mbajt asnjë seancë gjyqësore deri në fillim të vitit 2021.

Në seancën gjyqësore të mbajtur më 25 mars, përfaqësuesi ligjor i Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi kishte kërkuar shtyrjen e procesit me qëllim të grumbullimit të provave.

Kjo pasi sipas tij, në mungesë të dokumenteve të kadastratit për vitet e 90-ta, ka qenë e vështirë të grumbullohen provat që tregojnë se si toka kishte kaluar në shfrytëzim të kishës.

UP-ja në këtë rast, pretendon se tokën që është në pronësi të Komunës së Prishtinës, e ka pasur në shfrytëzim të lirë e të papenguar që nga viti 1975.