Komandanti i ardhshëm i KFOR-it: Ky mision është më i suksesshmi i NATO-s që nga 1999

Forcat e Armatosura Hungareze do t’ia japin NATO-s një gjeneral në shërbim për misionin paqeruajtës në Kosovë për një vit.

Gjeneralmajor Ferenc Kajári do të jetë në krye të KFOR-it që nga vjeshta.

Kajári për median hungareze “MTI” ka thënë se ai do të jetë komandant i trupave të 27 vendeve (19 anëtarë të NATO-s dhe tetë vendeve partnere) që sigurojnë personelin e KFOR-it.

Hungaria gjithashtu do të dërgojë këshilltarin politik të komandantit dhe shefin e departamentit të këshillimit ligjor, si dhe disa oficerë të tjerë kryesorë që do të mbajnë “poste kyçe” në KFOR, sipas Kajári.

Ai gjithashtu njoftoi se Forcat e Armatosura Hungareze kishin një sistem të vendosur për trajnimin e personelit.

“Nga 23 gushti deri më 2 shtator, një ekip prej rreth 50 komandantësh të KFOR-it do të marrin pjesë në një trajnim të misionit paqeruajtës në Szolnok, Hungari. Ata do të informohen, ndër të tjera, për pozicionet e tyre, detyrat që kanë përpara, situatën e sigurisë në Ballkan, ligjërata mbi teknikat e negociatave, historinë fetare, menaxhimin e mediave dhe njohuritë për shëndetin publik dhe epidemiologjinë”.

Ai tha gjithashtu se KFOR ishte operacioni më afatgjatë dhe më i suksesshëm i NATO-s që nga viti 1999.

Komandanti i ardhshëm i KFOR-it tha se situata e sigurisë në Ballkan është aktualisht e qëndrueshme, por e brishtë.