Udhëheqësit evropianë kanë shtuar thirrjet që Shtetet e Bashkuara të mbajnë trupat në Kabul edhe pas 31 gushtit, teksa përgatiten për një samit special të G7 të martën.
Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe të tjerë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron po e shtyjnë Joe Biden që të zgjasë afatin e 31 gushtit.
Ky vendim, sipas tyre, do të ndihmojë në evakuimin e mijëra shtetasve të huaj, si dhe afganë që punuan ose mbështetën operacionin e NATO-s të udhëhequr nga amerikanët.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian tha të hënën se ishte “i shqetësuar për datën e ndërprerjes”, raporton euronews.al.
Gjithashtu, Gjermania po bisedon me Shtetet e Bashkuara, Turqinë dhe aleatët e tjerë në mënyrë që të mbajë aeroportin e Kabulit të hapur për evakuime përtej 31 gushtit, tha ministri i Jashtëm, Heiko Mass.
“Ne duhet të vazhdojmë të flasim me talebanët, sepse natyrisht ata do të kenë një rol të veçantë për të luajtur në mënyrën se si funksionon aeroporti pas tërheqjes së trupave amerikane”, shtoi ai.
Por, talebanët kanë këmbëngulur që forcat perëndimore duhet të përfundojnë evakuimet deri në fund të muajit.
Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se po rrit përpjekjet e tij të verifikimit dhe evakuimit.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price u shpreh se duke filluar nga 22 gushti, 28 fluturime ushtarake amerikane evakuuan afërsisht 10.400 njerëz nga Kabuli.