Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor që të publikojë emrin e gjyqtarit i cili neglizhoi rastin e Dardan Krivaqës, emër i njohur për institucionet ligj zbatuese.
I njëjti dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij këtë vikend, ku më pas është arratisur. Policia e Kosovës ka arritur sot ta arrestojë Krivaqën.
Të shumtë kanë qenë protestuesit të cilët kanë kërkuar drejtësi pranë policisë, prokurorisë dhe gjykatës në Ferizaj.
Marshit të protestuesve i është bashkuar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila e ka quajtur skandal neglizhencën e trajtimit të rastit nga gjyqësori, ndërkohë që për Dardan Krivaqën kishte aktakuzë që nga viti 2013.
“Për mua ishte skandal që i dyshuari kryesor të ketë aktakuzë të ngritur që nga viti 2013, por seanca për shqyrtim gjyqësor të mos mbahej në lidhje me këtë rast. Për këtë duhet të flas Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që të na i bëjnë të qartë se kush ka qenë gjyqtari që e ka neglizhuar një rast të tillë dhe të ndërmerren veprimet për një neglizhencë të tillë. Sot e kemi një grua që ka humbur jetën, ata të cilët nuk kanë vepruar karshi rasteve të tilla pa dyshim që duhet të marrin ndëshkimin e merituar”, ka deklaruar Haxhiu.
Derisa i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor për publikimin e emrit të gjyqtarit i cili ka neglizhuar këtë rast, megjithatë ka shtuar se nuk duhet të shihet si ndikim.
“Unë i bëjë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të bëjë të ditur emrin e gjyqtarit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që shoqëria të kuptoj se kush nga personat zyrtar që paguhet nga taksat e qytetarëve nuk e ka bërë punën si duhet dhe pse ka ndodhur një rast ti tillë. Krahas dhimbjes së madhe që kemi pasur për humbjen e Marigonës, kemi një skandal të radhës nga sistemi i drejtësisë ku ka mos veprim karshi rasteve kriminale. Është e çuditshme se si një person që është dyshuar apo ka pasur aktakuzën ndjehet i lirë krahas veprave të tjera që ka qenë i dyshuar dhe nuk është mbajtur shqyrtime gjyqësore”, ka shtuar ajo.
Haxhiu ka shtuar se është përgjegjësi institucionale për ndëshkim të kriminelëve dhe rasteve të dhunës në familje.
M.O, e cila ishte 18 vjeçare është dërguar pa shenja jete në emergjencën e Ferizajt nga bashkëshorti Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.
Ky i fundit ishte arrestuar, ndërsa për Krivaqën kishin vazhduar kërkimet deri në mesditën e sotme.