Agim Ademi uron Kampionin e Kosovës në futsall “FC Liqeni”

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi përmes llogarive sociale, ka uruar kampionin e Kosovës në futsall FC Liqeni për paraqitjen, siç e quan ai, të shkëlqyeshme në fazën parakualifikuese të Ligës së Kampionëve në “Main Round”, përcjell kolonamedia.

Në vazhdim statusi i plotë i Agim Ademit:

Urime FC Liqeni

Kampioni i Kosovës në futsall, FC Liqeni bëri një paraqitje të shkëlqyeshme në fazën parakualifikuese të Ligës së Kampionëve dhe arriti objektivin e kualifikimit në “Main Round”.

Fitorja e sotme në ndeshjen vendimtare të Grupit H kundër gjermanëve të Weilimdorf (3:2) dëshmoi se fitoret në dy ndeshjet e para të grupit ndaj Tavshançali (5:0) dhe Helvecia (7:6) nuk ishin të rastësishme, por plotësisht të merituara dhe mbi bazën e cilësisë së ekipit.

Kualifikimi i FC Liqeni në fazën tjetër në garën elitare vërteton punën e mirë dhe rritjen e futsallit në Kosovë.

Përgëzoj lojtarët, trajnerët, stafin drejtues dhe tifozët e FC Liqeni për këtë sukses, me shpresë dhe besim se edhe në fazën e tjetër do ta përfaqësojnë Kosovën në mënyrën më të mirë.

Suksese e ju priftë e mbara!

Me respekt,
A.A