Edhe 2 muaj paraburgim ndaj 19 zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë në rastin “Subvencioni 2021”

Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj ndaj 19 zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë të cilët ishin arrestuar me dyshimet për keqpërdorim me subvencione.

Një vendim i tillë për vazhdimin e masës së paraburgimit është marrë nga gjykatësi, Naser Foniqi, me 30 korrik 2021.

Ndryshe me vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se ndaj të dyshuarve Bejtullah Pira, Granit Abdyli, Valon Hoti, Enver Ibishi, Blerim Mulliqi, Kujtim Zariqi, Arsim Çela, Habibe Dauti, Musa Nivokazi, Lulzim Hajdaraj, Flamur Zeqiri, Blerim Asllani, Afrim Abazaj, Halil Krasniqi, Daut Kabashi Bekim Shala, Gzim Morina, Kastriot Berisha, Fuat Morina vazhdohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, ashtu që sipas këtij vendimi të pandehurve si me lart paraburgimi do t’iu zgjasë deri më 30 shtator 2021.

Prokurori Rafet Halimi, pas arrestimit të 19 zyrtarëve, kishte se vlera e dëmit që dyshohet se është shkaktuar nga të arrestuar shkon në mbi një milion euro.

Të njëjtit po dyshohen se kanë kryer veprat penale “marrja e ryshfetit”, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “dhënia e ryshfetit”, mashtrim me subvencione”, “falsifikim i dokumenteve”, “legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe veprën penale “ushtrimi i ndikimit”.

Ndryshe, më 30 qershor 2021, në bazë të kërkesës së Prokurorit të Shtetit dhe urdhëresës së Gjykatës kompetente, si dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, është zhvilluar aksioni, si vazhdimësi e operacionit të zhvilluar më 24 shkurt 2021, rasti “Subvencioni 2021”.

Të njëjtën ditë janë arrestuar 21 persona, prej tyre 14 zyrtarë të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, për vepra penale korruptive, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa sa i përket të dyshuarve Kumrije Maxharraj dhe Salih Kelmendi ndaj të njëjtëve fillimisht nuk ishte caktuar masa e paraburgimit, por pas ankesave ne Apel të njëjtëve iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Sa i përket këtij vendimi, për “Betimi për Drejtësi” avokati Senat Elshani, mbrojtës i të dyshuarës Maxharraj ka thënë se lidhur me vazhdimin ose ndërprerjen e kësaj mase për të mbrojturën e tij nuk ka pranuar vendim ende nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, me rastin e aplikuesve për subvencione (fermerët) të njëjtit përmes dhënies së ryshfetit kishin përfituar subvencione në mënyrë të kundërligjshme, duke paraqitur të dhëna të pavërteta dhe të pa sakta apo edhe duke shfrytëzuar dokumente të falsifikuara në mënyrë që të plotësojnë kriteret për të përfituar subvencione.

Me veprimet e tyre, prokuroria po pretendon se i janë shkaktuar dëme të mëdha buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë.

Sipas prokurorisë, për të dyshuarit ekziston rreziku i arratisjes, asgjësimi, fshehja apo ndryshim i provave, pengimi i rrjedhjes së procedurës penale, pesha e veprës penale si dhe nga mënyra e kryerjes së veprave penale.

Bejtullah Pira po dyshohet se në cilësinë e inspektorit në AZHB, ka pranuar ryshfet shuma të ndryshme të parave së bashku me inspektorët Adushe Ukshini dhe Valon Hoti, ku vet Adushe Ukshini kishte deklaruar se shumat e parave 1,2000 euro dhe 1,600 euro të marra nga fermerët i kishte ndarë me Pirën.

Granit Abdyli po dyshohet se në cilësinë e zyrtarit në Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Vitisë në bashkëkryerje me inspektorët Adushe Ukshini dhe Valon Hoti kishin pranuar ryshfet, ku Adushe Ukshin i kishte deklaruar se 450 euro ryshfet ia kishte dhënë Abdylit.

Valon Hoti pi dyshohet se në cilësinë e Inspektorit në AZHB së bashku me Adushe Ukshini dhe Valon Hoti kishin marrë ryshfet, ku Adushe Ukshini kishte deklaruar se në katër raste, më konkretisht shumat prej 1,000 euro, 3,200 euro, 200 euro dhe 400 euro i kishte ndarë përgjysmë me Hotin.

Enver Ibishi, Blerim Bulliqi dhe Kujtim Zariqi, në cilësinë e inspektorëve në AZHB, në koordinim me drejtorin e pagesave direkte Luan Statovcin po dyshohen se kishin pranuar shuma të ndryshme të parave, nga persona të ndryshëm.

Arsim Cela po dyshohet se në cilësinë e inspektorit në AZHB, së bashku me Kujtim Zariqin në raportin e kontrolles në teren kishin paraqitur gjendje jo reale duke shtuar sipërfaqe kinse të mbjellë nga fermeri Blerim Asllani me kultura të ndryshme bujqësore, ndërsa në realitet në ato sipërfaqe ka pasur të mbjellë bari, që nuk do të duhej të subvencionohej.

Habibe Dauti po dyshohet se në cilësinë e zyrtares së pagesave direkte kishte futur personin Falmur Zeriqi në listën e përfituesve për subvencione në vlerë mbi 54 mijë euro pa i plotësuar kriteret për përfitim. Po ashtu e njëjta po dyshohet se ka proceduar për pagesë në mënyrë të kundërligjshme edhe për fermerët e tjerë: Kastriot Berisha ka përfituar afër 250 mijë euro, Fuat Morina afër 110 mijë euro Gzim Morina mbi 45 mijë euro, Bekim Shala afër 84 mijë euro dhe Arlinda Seferi ka përfituar afër 97 mijë euro.

Musa Nivokazi po dyshohet se si inspektor në AZHB së bashku me inspektorin Lulzim Hajdaraj kishin shtuar sipërfaqe jo reale për fermerë të ndryshëm duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës rreth 10 mijë euro.

Lulzim Hajradaj po dyshohet se në cilësinë e inspektorit në AZHB kishte pranuar ryshfet në koordinimin me Luan Statovcin, duke i shkaktuar dëm buxhetit rreth 10 mijë euro.

Blerim Zeqiri po dyshohet se kishte paraqitur dokumentacion të rremë për të përfituar rreth 55 mijë euro, ndërsa Blerim Asllani dyshohet se ka përfituar 41 mijë euro.

Afrim Abazaj po dyshohet se nga zyra e drejtorit të pagesave direkte Luan Statovci, shumat e parave të marra nga fermerë të ndryshëm i ndan me Statovcin.

Halil Krasniqi po dyshohet se ka përfituar afër 120 mijë euro duke paraqitur dokumentacion të rremë, si dhe dyshohet se i ka dhënë ryshfet Salih Statovcit në dy raste nga 10 mijë euro që të ndikojë tek vëllau i tij Luan Statovci që ta fus në listën e përfituesve.

Daut Kabashi po dyshohet se në cilësinë e zyrtarit në Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Istogut kishte pranuar ryshfet shuma të ndryshme të parave në koordinim me Luan Statovcin,

Bekim Shala po dyshohet se me paraqitjen e të dhënave të pasakta kishte përfituar shumën e parave në tri raste në vlerë mbi 105 euro, si dhe ka aplikuar edhe në emër të bashkëshortes Arlinda Seferi dhe ka përfituar mbi 96 mijë euro.

Salih Kelmendi po dyshohet se në cilësinë e inspektorit në Komunë ne Pejës kishte pranuar ryshfet shumën 10 mijë euro nga Bekim Shala dhe i kishte ndihmuar që të rregullojë dokumentet për aplikim në subvencione në mënyrë që Shala të përfitoje mbi 105 mijë euro dhe mbi 96 mijë euro.

Gzim Morina po dyshohet se duke dhënë të dhënë të pasakta kishte përfituar afër 60 mijë euro, ndërsa Kastriot Berisha dyshohet se ka përfituar në tri raste shumën mbi 373 mijë euro.

Fuat Morina po dyshohet se me dokumente të falsifikuara kishte përfituar mbi 118 mijë euro, ndërsa Kumrije Maxharraj po dyshohet se ka mashtruar me rastin e aplikimit për subvencione duke paraqitur të dhëna të pa sakta, duke përfituar mbi 42 mijë euro.