Në 24 orët e fundit janë dënuar 700 qytetarë për mos zbatim të masave anti covid

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka kërkuar nga të gjithë qytetarët, nga institucionet dhe bizneset që të respektojnë vendimet e fundit të marra nga qeveria e vendit kundër COVID-19.

Në njoftim thuhet  se “evidentimi i rasteve të reja të infektimit me virusin COVID 19, ka qenë shqetësues për qytetarët dhe institucionet në përgjithësi dhe pas masave të reja të ndërmarra nga institucionet e vendit edhe Policia e Kosovës ka rritur kapacitetet në funksion të realizimit dhe implementim të këtyre masave në bashkërendim me autoritetet kompetente”.

“Me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, Policia e Kosovës është duke realizuar detyra konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke aplikuar kontrolle të përbashkëta në trafik, në transportin e udhëtarëve, në qendra tregtare, lokale afariste etj., përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa.

Kërkojmë nga të gjithë qytetarët, nga institucionet dhe bizneset që të respektojnë vendimet e fundit të marra nga qeveria e vendit, me qëllim që të ruajmë shëndetin publik si dhe pamundësohet përhapja e mëtejme e virusit”, thuhet në komunikatë.

Më tej, në njoftim thuhet se Policia po ndërmerr dhe do të ndërmerr masa ndëshkuese ndaj shkelësve të ligjit anti-COVID-19.

“Andaj, respektimi i masave dhe kufizimeve në pajtim me vendimeve të fundit të nxjerra nga qeveria e vendit mbetet prioritet për parandalimin e virusit dhe ruajtjen e shëndetit publik. Gjatë 24 orëve të fundit nga PK-ja janë shqiptuar mbi 700 gjoba për persona juridik dhe persona fizik për mos respektim të masave”.