Ambasadori amerikan falënderon Kosovën për strehimin e afganëve: Ju falënderoj përzemërsisht në emër të ShBA-së

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka falënderuar Qeverinë dhe popullin e Kosovës lidhur me gatishmërinë për t’iu ofruar ndihmë refugjatëve afganë, pas ngjarjeve që ndodhën së fundmi.

Kosnett në një postim në Twitter tha se edhe një herë, Kosova demonstron lidership në skenën globale.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara, falënderoj përzemërsisht qeverinë dhe popullin e Kosovës për gatishmërinë tuaj për t’u ofruar strehë partnerëve tanë afganë në udhëtimin e tyre drejt një jete të re. Edhe një herë, Kosova demonstron lidership në skenën globale”, shkroi Kosnett.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të ofruar mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti në Afganistan.

Sipas komunikatës për medie, “Qeveria e vlerëson të nevojshëm ofrimin e mbrojtjes së përkohshme e të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan”.