Alarmon Oda e Infermierëve: Një infermier po kujdeset për 20 pacientë me COVID-19

Vetëm një infermier është në dispozicion për njëzet pacientë me Covid, sipas një alarmi që Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë, i ka bërë ministrit të shëndetësisë Arben Vitia dhe drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi përmes një shkrese ku kërkohet shtimi urgjent i stafit infermieror në institucione shëndetësore

Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë, përmes një shkrese që i ka dërguar ministrit të shëndetësisë Arben Vitia dhe drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi i ka alarmuar ata me numrin e vogël të infermierëve që detyrohen të ofrojnë shërbime shëndteësorë për pacientët e prekur me Covid.

Sipas shkresës që Naser Rrustemaj, kryetar i OIK i ka dërguar ministrit Vitia dhe drejtorit Krasniqi, në Klinikën Infektive, një infermier po ofron shërbime shëndetësore për njëzet pacientë të prekur me Covid.

Andaj, Rrustemaj ka kërkuar nga Vitia dhe Krasniqi që urgjent të marrim masa që të shtohet numri i infermierëve.

“Mos ndërmarrja e masave do të atakoj direkt pacientët që kanë nevojë për shërbime shëndetësore. Andaj, ne kërkojmë nga ju si Ministër i Shëndetësisë dhe si Drejtor i SHSKUK-se që të gjeni një zgjidhje urgjente për shtimin e numrit të infermierëve, mamive dhe punonjësve tjerë shëndetësore, në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, në Klinikat të cilat janë duke trajtuar pacientët me COVID-19, e posaçërisht Klinika Infektive, ku një infermier kryen shërbime për 20 (njëzet) pacientë me Covid”, thuhet në shkresën që Naser Rrustemaj, kryetar i OIK i ka dërguar ministrit Vitia dhe drejtorit të SHSKUK-së Valbon Krasniqi.

OIK, duke shprehur solidarizimin me infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë, të cilët gjatë këtij viti kanë punuar duke mos arritur të shfrytëzojnë as pushimin vjetor, e njofton ministrin Vitija dhe drejtorin Krasniqi se ngarkesa e madhe e këtyre profileve shëndetësore po cënon edhe me shumë gjendjen gjatë pandemisë.

“Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë vazhdimisht ka marrë ankesa nga anëtarësia e gjerë (ankesa këto që po rriten për çdo ditë), me ç’rast jemi njoftuar për kushte ekstremisht të rënda të punës si dhe numër tejet të vogël të stafit infermieror në raport me kërkesat për shërbime ndaj pacientëve gjatë pandemisë Covid-19”, thuhet në shkresë, ku potencohet se kjo, po cenon seriozisht edhe shërbimet shëndetësore, në kohën kur për çdo ditë kemi qindra raste të pacientëve të infektuar me Covid.

Ndryshe, rritja e numrit të infermierëve në institucionet shëndetësore ka qenë edhe kërkesë e Këshillit Nacional Këshillëdhënës të Odës së Infermierëve të Kosovës si dhe Këshillit Drejtues të OIK-ut.