Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha sot pas mbylljes së sesionit parlamentar të Kuvendit të Kosovës se Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti e kanë shfrytëzuar shumicën parlamentare për të kapur institucionet vitale të shtetit.
Ai tha në konferencë për media se Albin Kurti dhe deputetët e Vetëvendosjes e kanë shfrytëzuar punën 150 ditëshe në Kuvend për të shkarkuar borde të institucioneve të pavarura, menaxhmete profesionale dhe për të emëruar familjarët e ministrave të Vetëvendosjes, familjarët e Presidentes së Kosovës dhe nipat, mbesat, hallat e tezet e tyre.
“Atë që e kam thënë nga fillimi i punës së kësaj mazhorance, edhe sot u konfirmua se Vetëvendosje dhe Albin Kurti janë shndërruar në ndërmarrjen më të madhe të punësimeve familjare. Derisa e nisën sesionin parlamentar me shkarkime e emërime familjare, sot Albin Kurti e mbylli sesionin parlamentar me kapjen edhe të njërit prej institucioneve më të rëndësishme të Kosovës, siç është Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. Albin Kurti, sot emëroi Auditore të Përgjithshme motrën e këshilltares së tij”, tha Tahiri.
Ai tha se standardin që Kosova e pati ndërtuar me shumë mund dhe ndihmë të partnerëve tanë strategjik ndërkombëtar, që Zyra Kombëtare e Auditorit të jetë i pavarur, i paanshëm dhe kredibil, sot Albin Kurti e rrënoi, e kapi për ta përdorur si instrument të pushtetit të tij personal.
“Nga sot, raportet e Auditorit të Përgjithshëm për institucionet qendrore të Kosovës, për Komunat dhe institucionet e tjera të pavarura, përfshirë raportet për sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës, do të shkruhen në Zyrën e Albin Kurtit dhe ai do të jetë autori i degradimit dhe besueshmërisë së këtij institucioni”, tha Tahiri.
Duke folur për punën gjatë këtij sesioni parlamentar, shefi I Grupit Parlamentar të PDK-së tha se prej themelimit të Kuvenditë Kosovës, kjo është mazhoranca më e dobët parlamentare të cilën e udhëheqë Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti.
“Për 150 ditë qeverisje, Kuvendi i Kosovës i ka miratuar vetëm 4 ligje. Asnjëri prej këtyre ligjeve nuk lidhet me zbatimin e premtimeve që i ka dhënë Albin Kurti gjatë fushatës para qytetarëve. Kjo flet më së miri për paaftësinë e kësaj Qeverie dhe këtyre deputetëve të shumicës parlamentare”, tha ai.
Tahiri ka thënë se gjatë punës në këtë session parlamentar, PDK si lidere opozitare ka ngritur në vazhdimësi zërin kundër vendimeve arbitrare të shumicës parlamentare të Vetëvendosjes dhe vlerësoi se në disa raste ka pasur suksese të mëdha në mbrojtje të rendit kushtetues dhe institucioneve të pavarura.
“Me iniciativë të Grupit Parlamentar të PDK-së, kemi denoncuar krimin ekonomik që kjo shumicë parlamentare e Vetëvendosjes e bëri në Kuvend, kur vendosi që të paguaj 11 milionë euro për energjinë eletrike në veri. Jemi të bindur që Gjykata Kushtetuese do të nxjerr vendim që i konfirmon argumentet tona”, tha Tahiri, duke përmendur po ashtu edhe denoncimet tjera që i kanë bërë për shkarkimet e anëtarëve të bordeve të institucioneve të pavarura.
“Gjatë këtij sesioni Parlamentar, përballë këtij pasiviteti dhe përballë paditurisë së partisë në pushtet, ne kemi ftuar pesë debate parlamentare për abuzimet dhe keqpërdorimet e kësaj qeverie, si në shëndetësi, në arsim, në ekonomi, në infrastrukturë dhe së fundmi për raportimin e punës 100 ditëshe. Po ashtu, ne kemi ndërmarrë edhe iniciativa ligjore si deputetë, pasi që Qeveria jo vetëm që nuk ka vizion, por as edhe nuk i ka përmendur në programin e saj temat siç janë ligji për TVSH-në, ligji për çmimet e produkteve mediacinale e të tjera”, tha Tahiri.
Ai theksoi se në sesionin e ardhshëm parlamentar i cili fillon në mesin e muajit shtator, PDK si lidere e opozitës do të bëjë edhe më shumë për të ndalur keqqeverisjen e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.