Mbi 121 mijë automjete kanë hyrë në Kosovë vetëm gjatë muajit të kaluar me bashkatdhetarë që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, shifër kjo për mbi 320 për qind më e lartë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Numri i përgjithshëm i automjeteve që kanë hyrë në muajin korrik bazohet në numrin e policave të shitura nga Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), të cilat i mbulon Qeveria e Kosovës.
Nga BKS-ja kanë deklaruar për Front Online se në korrik të vitit të kaluar ishin shitur mbi 28 mijë polica të sigurimit, përderisa në korrikun e këtij viti janë shitur mbi 121 mijë, me ç’rast ka një rritje të shitjes së policave këtë vit për 326 %.
Derisa vitin e kaluar shumë bashkëatdhetarë nuk kishin mundur të vijnë në Kosovë për shkak të pandemisë COVID-19, sivjet kanë ardhur edhe më shumë se në vitin 2019.
“Në vitin 2019 janë shitur 113.403 polica të sigurimit, përderisa këtë vit janë mbi 121 mijë”, kanë bërë të ditur nga BKS-ja.
Një trend i tillë, sipas BKS-së vërehet edhe në dhjetë ditët e para të gushtit, ku nga 1-10 gusht numri i policave të sigurimit ka arritur në mbi 47 mijë, apo për 430% për qind më shumë se në periudhën e njejtë të vitit të kaluar.
A janë paguar të gjitha Policat e Sigurimit nga Qeveria e Kosovës?
Me vendim të Qeverisë së Kosovës nga 1 korriku i këtij viti mbulohen financiarisht policat e sigurimit për automjetet dhe motoçikletat e bashkatdhetarëve që hyjnë në Kosovë.
Sipas BKS-së, nga mbi 121 polica që janë lëshuar gjatë muajit të kaluar, 94 % e tyre janë mbuluar nga Qeveria, ndërsa 6 për qind janë mbuluar vet nga i siguruari.
Statistika të njëjta janë edhe në dhjetë ditët e para të gushtit, ku mbi 44 mijë Polica të Sigurimit janë mbuluar nga Qeveria e Kosovës, ndërsa 2800 sosh janë mbuluar nga të siguruarit.
Nga cilat shtete kanë hyrë automjete në Kosovë në korrik-gusht?
Bazuar në të dhënat e BKS-së, gjatë periudhës korrik-10 gusht 2021, më së shumti automjete në Kosovë kanë hyrë nga Gjermania (38.1%), Zvicra (23.8%), Austria (7.5%), Italia (4.9%), Franca (3.9%), Belgjika (2.9%), Sllovenia (2.7%) dhe nga shtetet tjera 16.3%.