​Kërkohet paraburgim për tre shtetasit serbë që u kapën me mbi 11 kg drogë në Gjilan

Për tre shtetasit serbë të cilët u kapën me mbi 11 kilogramë drogë në Gjilan, po kërkohet paraburgim prej një muaj .

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar paraburgimin e P.S, A.V dhe S.A, me dyshimin e kryerjes së veprës penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurve P.S., A.V. dhe S.A., të cilët me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh. Sipas kërkesës ekziston dyshimi i bazuar se, më 11 Gusht 2021, rreth orës 17:30 minuta, në Gjilan, të pandehurit e lartshënuar kanë poseduar me qëllim shpërndarje dhe shitje substanca narkotike, të llojit marihuanë, në peshë prej 11kg e 550 gr, e cila është sekuestruar nga Policia e Kosovës. Me këto veprime të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Ndërsa, i pandehuri S.A., dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi ka mbajtur në pronësi dy (2) pistoleta, një (1) karikator dhe njëqindeshtatëdhjetegjashtë (176) fishekë, të cilat iu janë sekuestruar.