Nëntë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në Shqipëri. Qeveria thotë se po punon për t’i vënë nën kontroll teksa thekson se ato nuk përbëjnë rrezik për njerëzit.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha në një njoftim për mediat se pas dy javësh punë janë mundur të shuhen 175 zjarre në gjithë vendin teksa 9 vatra mbeten ende aktive.
Teksa falënderoi të gjithë ata që u përfshinë në shuarjen e zjarreve në Karaburun, Peleshi kritikoi Bashkinë e Vlorës për mos-ndërhyrje në kohë në rastin e zjarreve.
Ai theksoi se “qeveria është hallka e fundit e ndërhyrjes,” dhe pas shuarjes së vatrave në Karaburun i takon Bashkisë ta marrë në kontroll territorin.
Prej disa ditësh zjarre të shumta vijojnë në veri me vatra pranë tunelit të “Rrugës së Kombit” në Majën e Runës, në Kalimash të Kukësit dhe në zonën përreth fshatit Thirrë në Mirditë. Peleshi tha se po bëhet çmos që flakët të vihen nën kontroll.
Paralelisht ka pasur zjarr në Dragobi të Tropojës, në Munellë të Pukës dhe Patalej të Lezhës.
Ministri u shpreh se deri më tani janë drejt shuarjes zjarret në Therepel të Skraparit dhe Malin e Tomorrit. Ndërkohë me rrezik paraqitet situata në zonën e Mbrojtur të Gurit të Nikës, në Pogradec, teksa zjarret vijojnë edhe në Dukat.
Deri më sot situata më e vështirë e menaxhuar ka qenë ajo e Karaburunit, ku ministri Peleshi tha se u tejkalua me sukses rreziku i djegies së Parkut Kombëtar të Llogarasë.
Mbi 300 vatra zjarri janë regjistruar gjatë verës në Shqipëri sipas Global Forest Watch (GFW), që monitoron situatën e pyjeve në botë përmes pamjeve satelitore. Pjesa më e madhe janë shënuar tre javët e fundit.
Mbi 5 mijë ushtarë, zjarrfikës, punonjës të autoriteteve lokale dhe vullnetarë janë angazhuar për shuarjen e zjarreve. Nga ajri ndërkohë janë angazhuar 7 helikopterë, 4 prej të cilëve u vunë në dispozicion nga Holanda dhe Çekia.
Prej zjarreve janë shkaktuar dy viktima. Andrea dhe Tatjana Haxhiaj humbën jetën si pasojë e flakëve në fshatin Asim Zenel në Gjirokastër. Andrea vdiq më 3 gusht, ndërsa Tatjana sot, një javë më vonë në spital.
Policia tha të martën se të paktën 33 persona dyshohen të jenë përgjegjës për zjarrvënie të qëllimshme ku 15 prej tyre janë arrestuar, 2 janë shpallur në kërkim dhe 16 të tjerë janë vënë nën hetim.
Sipas GFW në 20 vitet e fundit Shqipëria ka humbur mbi 40 mijë hektarë pyje, ose 6.2% e totalit që kishte deri në vitin 2000. Arsyet kryesore kanë qenë prerja pa kriter dhe zjarret e pakontrolluara.