Numri i rasteve me COVID-19 ka filluar sërish të rritet. E për pasojë është shtuar edhe numri i pacientëve të hospitalizuar në Klinikën Infektive. 19 persona janë të shtrirë në këtë klinikë, njëri prej tyre është në gjendje kritike dhe po trajtohet në Intensivë, ndërsa dy të tjerë janë në oksigjeno-terapi.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj thotë për KosovaPress se tri ditët e fundit ka pasur fluks më të madh të pacientëve të cilët kanë kërkuar shërbime.
“Për momentin ne në Klinikën Infektive kemi gjithsejtë 19 pacientë të spitalizuar. Këto dy-tri ditët e fundit kemi pasur një fluks më të madh të pacientëve të shtrirë. Prej tyre kemi tre pacientë në mjekim intensiv, njëri nga ta është në gjendje shumë të rëndë dhe kritike, është i intubuar. Dhe 12 pacientë të tjerë janë me oksigjeno-terapi”, deklaron ai.
Vishaj thotë se janë duke parë gjendjen me vëmendje dhe konform kësaj janë duke marrë masa të nevojshme në mënyrë që të jenë gatshëm për pritjen e fluksit të ri të mundshëm.
“Po vërehet një trend, një rritje e numrit të të infektuarve gjithkund në kontinent dhe në vendet tjera. Pa dyshim që ardhja e fluksit të madh të qytetarëve tanë edhe prania e formave të reja të virusit, sidomos Delta që duhet të jetë aktuale edhe në vendin tonë. Ka quar në një prani të tillë të fillimit të një vale të re”,shton Vishaj.
Meqë prania e varianteve të reja të virusit është e pashmnagshme, Vishaj bën thirrje për vaksinim të qytetarëve.
“Vaksinimi është mënyra më e mirë e mundshme. Edhe është e domosdoshme dhe vaksinimi duhet të jetë sa më i shpejt që të jetë e mundur. Sepse kjo është forma më e mirë e mbrojtjes së qytetarëve tanë. Kurse masat të cilat i rekomandon Instituti, qytetarët e vendit tanë duhet t’i zbatojnë dhe duhet të zbatojnë me rigorozitet sepse ato ndihmojnë edhe më shumë popullatën që të mos vie deri te infektimi i tyre”,thekson Vishaj për KosovaPress.
Udhëheqësi i Klinikës Infektive për KosovaPress shprehet se zgjidhja e vetme është që qytetarët të vaksinohen, meqë pritet që të ketë valë të re të përhapjes të variantit COVID-19. Ai tregon se ka pacientë të vaksinuar të cilët po trajtohen, mirëpo që të njëjtit manifestojnë forma më të lehta klinike.
“Ne kemi pasur edhe pacientë që janë shtrirë dhe tani që janë të shtrirë që kanë qenë të vaksinuar. Mirëpo, këta pacientë e kemi vërejtur se kanë manifestuar forma më të lehta klinike. Do të thotë qëllimi i vaksinës është që pasi të vaksinohesh, mos të përfundosh në formën shumë të rëndë që mundësia e trajtimit të jetë e limituar”, tregon u.d së drejtorit të Infektivës.
Gjatë ditës së djeshme janë konfirmuar 72 raste me koronavirus, ndërsa 17 janë shëruar. Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë dy dozat e vaksinës, kanë marrë mbi 130 mijë qytetarë të Kosovës.