Misionet Diplomatike dhe Konsullore të Kosovës kanë tejkaluar për disa mijëra euro limitin e buxhetit në vitin e kaluar.
Gjatë procesit të auditivit, Zyra Kombëtare e Auditorit –ZKA ka identifikuar se bilanci bankar lidhur me mbajtjen e mjeteve nëpër llogari të Misioneve Diplomatike dhe Konsullore (MDK) ishte tejkaluar mbi limitin e përcaktuar.
Auditori ka testuar disa MDK për muajin maj 2020 (Konsullata Shtutgart, Konsullata Mynhen) dhe për muajin dhjetor (Konsullata Shtutgart, Konsullata Mynhen, Dyseldorf, Ambasada e Kosovës në Bern dhe Konsullata në Gjeneve) dhe ka vërejtur se limiti për mbajtjen e mjeteve financiare ishte tejkaluar mbi normën e përcaktuar me udhëzimin administrativ.
Kjo është theksuar nga ZKA në Raportin Financiarë për Pasqyrat Vjetore të vitit 2020 të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
“Sipas Thesarit tejkalimet e limiteve nga MDK ishin: Konsullata Shtutgart limitin e lejuar e kishte 50,000€ ndërsa tejkalimi ishte 93,765€ (dhjetor) dhe 75,060€ (maj), Konsullata Mynhen limitin e lejuar e kishte 50,000€ ndërsa tejkalimi ishte 63,070€ (dhjetor) dhe 52,439€ (maj), Dyseldorf limitin e lejuar e kishte 50,000€ ndërsa tejkalimi ishte 235,984€, Ambasada e Kosovës në Bern limitin e lejuar e kishte 50,000€ ndërsa tejkalimi ishte 68,959€ dhe Konsullata në Gjeneve limitin e lejuar e kishte 50,000€ ndërsa tejkalimi ishte 67,426€)”, ka shkruar Auditori në Raport.
Sipas ZKA, kjo dukuri kishte ndodhur si rezultat i mbikëqyrjes jo të mjaftueshme të ministrisë ndaj MDK-ve.
Auditori ka ngre rrezikun se mbajtja e mjeteve mbi limitin e lejuar bankar përveç që është në kundërshtim me udhëzimin administrative të MPJD-së mund të ndikon që të rriten shpenzimet nëpër MDK.
Lidhur me pasqyrat financiare të vitit 2020, ZKA i ka dhënë MPJ-së disa rekomandime.