Profesori amerikan, njëherësh ekspert i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben-Meir, në një intervistë për radion Evropa e Lirë thotë se institucionet e Kosovës duhet të tregohen të kujdesshme me iniciativën e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili ditë më parë tha se së bashku me presidentin amerikan, Joe Biden, do të angazhohet që të sigurojë njohje të reja për Kosovën.
Ben-Meir, që është profesor pranë Qendrës për Çështje Globale në Universitetin e Nju Jorkut, thotë se është në rregull që Kosova të ketë raporte të mira me Turqinë, por sipas tij Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohet agjendës së këtij shteti si dhe agjendës islamike të Erdoganit.
Profesori Ben-Meir në këtë intervistë flet edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilin proces nuk është shumë optimist se shpejt mund të përfundojë me një marrëveshje finale.
Pos tjerash, Ben-Meir është një ekspert në çështjet e Lindjes së Mesme, negociatat ndërkombëtare dhe zgjidhjen e konflikteve. Një pjesë të konsiderueshme të karrierës së tij e ka kaluar duke u marrë me konfliktin izraelito-palestinez.