Veteranët e Kombëtares së Kosovës në futboll fituan trofeun “Fadil Vokrri”, mposhtin veteranët e Shqipërisë

Veteranët e Kombëtares së Kosovës në futboll kanë fituar trofeun “Fadil Vokrri”, pasi kanë shënuar fitore në përballje me veteranët e Kombëtares së Shqipërisë, pas penalltive 4:3, ngase ndeshja pas 60 minutave lojë u mbyll baras 1:1.

Kjo ndeshje u organizua nga Federata e Futbollit e Kosovës për nder të ditëlindjes së 61-të të ish-presidentit të ndjerë të FFK-së, Fadil Vokrri. Të parët në epërsi kaluan veteranët kuqezi, me golin e Redi Jupit, në minutën e 7-të. Megjithatë, Dardanët u kundërpërgjigjën vetëm dy minuta më vonë, kur Muhamed Dragusha shënoi nga penalltia. Në këtë ndeshje krahas emrave të shquar të futbollit mbarëkombëtar për disa minuta luajtën edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe ish-futbollisti i Prishtinës, i cili tashmë jeton dhe vepron në Dallas të SHBA-së, Bruno Ceka. Trofeun e këtij turneu kapitenit të Veteranëve të Kosovës, Lulzim Berisha ia dorëzoi presidenti Agim Ademi, derisa me mirënjohje u nderua edhe trajneri i Veteranëve të Shqipërisë, Sulejman Mema. Ndërkaq, para kësaj ndeshje u zhvillua edhe dueli ndërmjet veteranëve të Prishtinës dhe veteranëve të Llapit, skuadra në të cilat ka luajtur Legjenda Vokrri. E në këtë ndeshje më efikas u treguan llapjanët, të cilët arritën të fitojnë me rezultat 2:0, me golat e shënuar nga Rrahim Kaçanolli (25’) dhe Gani Zhugolli (49’).

Në fund të këtij eventi FFK ka organizuar edhe një koktej për të gjithë pjesëmarrësit, derisa më pas janë vendosur edhe buçeta lulesh te shtatorja e Legjendës, Fadil Vokrri, e cila u përurua sot pranë stadiumit që e bartë me krenari emrin e tij.