Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për një shtetas që posedonte një shumë të madhe parash dhe tentonte për t’i futur në mënyrë të kundërligjshme nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Muriqan, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Kufitare të Muriqanit, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Muriqani”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në automjetin tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi R. R., 56 vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në Ancona, Itali, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në mjet, 494.785 euro, të cilat shtetasi R. R. nuk i kishte deklaruar.
Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. R., për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij rasti.