Kuvendi i Kosovës diskutoi të mërkurën edhe për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShT) dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA) për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+)”. Por, sikurse edhe marrëveshjet tjera ndërkombëtare as ky projektligj nuk u votua pasi nuk pati kuorum.
Në mungesë të ministres Arbërie Nagavci, projektligjin në fjalë, para deputetëve, e prezantoi ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili tregoi edhe për ndarjen e financimit.
Ai tha se MAShT siguron financimin e masave plotësuese shumëfishuese të projektit në një shumë maksimale në një shumë maksimale prej 300 mijë euro, dhe do të transferojë kontributin drejtpërdrejt tek partneri implementues i projektit në dy këste.
“Agjencia Austriake për Zhvillim pajtohet që ta bashkëfinancojë projektin në një shumë maksimale prej 2.5 milionë euro. Pra, kemi të bëjmë me një bashkëfinancim nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës 300 mijë euro, kurse nga ADA 2.5 milionë euro. Në fund, dëshiroj të theksoj se miratimi i kësaj marrëveshje mes MAShT dhe ADA është shumë e rëndësishme për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë, andaj kërkoj mbështetjen e juaj, në emër të qeverisë së Republikës të Kosovës, që ta ratifikoni këtë marrëveshje, ashtu që t’i hapet rrugë këtij projekti”, tha ai.
Deputetët e opozitës kërkuan sqarime shtesë rreth kësaj marrëveshjeje, teksa kërkuan të dinë nëse është bërë ndonjë analizë për këtë program.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, teksa kërkoi më shumë sqarime lidhur me marrëveshjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim për Projektin HERAS+ dhe Ministrisë së Arsimit deklaroi kundërshtimin e PDK-së për këtë projektligj.
Shala pyeti se çka ka përfituar zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci nga ky projekt teksa hodhi dyshime për avancimin e tij në këtë post.
“Do të duhej ta kemi një raport, nuk ka rëndësi se cila qeveri, duhet ta kemi një raport për ta ditur se çka ka përfituar arsimi i lartë, se çka ka përfituar shkenca, çka ka përfituar zëvendësministri juaj nga projekti i parë. Kjo është kollaj me ditë dhe kur të na jepni informacion se a është avancuar një zëvendësministër për shkak të këtij projekti, cili ka qenë roli i tij në fazën e parë të implementimit, çka na ofroi ai apo qeveria për zhvillimin e pjesës së dytë dhe pjesa tjetër nëse është praktikë e keqe edhe nga e kaluara ne do e ndalim, nëse është praktikë me i implementu marrëveshjet ndërkombëtare pa u ratifikuar në Kuvend është gabim”, tha ai.