Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, në seancën e sotme në Speciale është shprehur i çuditur me zvarritjet që Prokuroria po i bën rastit.
Ai ka thënë se përkundër afateve të përcaktuara nga Gjykata që deri më 4 qershor të dorëzohen materialet, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Ne kemi marrë qindra dokumente dhe ato janë dhënë disa orë para kësaj seance. Për sa i përket materialeve që kanë të bëjnë me kërkesa për masa mbrojtëse, ne e dijmë që ju keni dhënë afatin 4 qershor. Këto materiale do të jenë subjekti i kërkesave në të ardhmen sepse ato ende nuk janë nxjerrë. Ne shprehim shqetësimin tonë për dëshmitarët e ardhshëm shtesë për të cilët do të kërkohen masa mbrojtëse”, tha ia.
Ai tutje përmendi edhe kohën kur ZPS kërkonte që gjykimi në këtë rast të niste në këtë muaj, teksa tash thotë se nuk i ka ende gati raportet e ekspertëve.
“Ne duam të shprehim çudinë tonë për raportet e ekspertëve se si ende janë duke u përgatitur. ZPS në nëntor tha se nuk kishte asnjë arsye se pse most ë fillonte gjyqi këtë muaj, teksa tani po na thua se janë në përgatitje këto raporte ekspertëve. Ne duam një afat të caktuar për këtë çështje. Ato duhet të jenë në dosjen paraprake në mënyrë që mbrojtja të jetë në dijeni për provat që do të paraqiten”, tha ai.
Ndërkaq, avokati i Kadri Veselit, Nicho Kaufman, tha se Prokuroria po i shkel të gjitha rregullat e përcaktuara, dhe materialet e dorëzuara pas datës nuk duhet të pranohen.
“Nuk është kjo një mënyrë e zellshme e kryerjes së punës nga ZPS, kjo është mënyrë nga paniku. Zonja Losson paraqiti faktin se ka dorëzuar shumë dokumente, por s’e ka përmendur faktin që këto i ka dërguar më 30 qershor. Unë them që kjo është një mjegullim i materialeve që e ka karakterizuar ZPS-në në kohë. Ndryshimet e afateve nuk janë të drejta. ZPS duhet ta sqarojë që masat mbrojtëse të propozuara më 3 korrik janë në kundërshtim me rregullat. Ju kërkojmë që t’ua bëni të qartë Prokurorisë që nëse ata i shkelin afatet, materialet që i dorëzojnë më vonë nuk do të pranohen. Ata po flasim për kërkesa të ndryshime të masave, çfarë janë këto, sa janë këto kërkesa, kur janë bërë? Kjo mënyrë e paqartë e kërkesave nuk është mënyra e duhur”, tha ai.
Gjithashtu, ai kërkoi që dëshmitarët të cilët janë përcaktuar pas afatit, nuk duhet të lejohen në procedurë.
“Janë këto kërkesa për miratim që ende nuk janë dhënë. Materialet sipas rregullit 107 nuk janë trajtuar siç duhet. Janë konfiskuar një numër materialesh dhe ajo që dijmë ne është që ZPS po thotë se po i trajton në mënyrë rigoroze. Ne e pyesim ZPS-në se kur janë marrë këto materiale, numrin e personave dhe institucioneve që kanë dhënë këto informacione. Prokuroria nuk do të përmbushi afatin që ka caktuar sipas rregullës 107. Në qoftë se i përmbahemi rregullave këta dëshmitarë nuk do të duhej të lejohen. As për raportin e ekspertëve nuk duhet që afati të shtyhet për 23 korrik. Nuk ka të drejtë ligjore që këto të dorëzohen më vonë”, tha Kaufman.