Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në mbledhjen e sotme të kryesuar nga kryetari Ferat Shala ka formuar grupin e punës për nismën legjislative për hartimin e Projektligjit për kriptovaluta.
Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila është zgjedhur kryesuese e këtij grupi.
Jeta Statovci, anëtare e këtij grupi punues ka theksuar se me anë të këtë këtij ligji synojnë ta krijojnë një bazë ligjore sa më e përshtatshme për kriptovalutat.
“Siç e kemi të paraparë edhe në Planin e punës është edhe projektligji për kriptovalutat. Ne kemi pranuar hulumtimin, kështu që mendoj që është e udhës edhe formimi i grupit punues, i cili do të angazhohet në këtë projektligj. Propozoj që krahas edhe grupit formues, të ketë edhe angazhim të ekspertëve pasi që është fushë e re për të dhënë kontributin e tyre në krijimin e një baze ligjore sa më të përshtatshme edhe konform nevojave që identifikohen në treg”, tha ajo.
Ndryshe, shumë qytetarë në Kosovë kanë investuar në kriptovaluta, ani pse nuk është e rregulluar me ligj deri tash.