Prokurorja: Arrestimet e sotme u bën nën dyshimin për keqpërdorime në lejet për ndërtim të objekteve banesore

Një aksion i gjerë i policisë dhe prokurorisë është kryer sot në pesë komuna të Dukagjinit.

Pejë, Istog, Deçan, Junik dhe Klinë ishin komunat në të cilët u kryen aksionet nën dyshimin për keqpërdorime në kuadër të ndërtimeve objekto-banesore.

Prokurorja e rastit, Lumturie Vuçetaj deklaroi se të njëjtit kanë zbatuar urdhëresën e gjykatës në kontroll të drejtorive për Urbanizëm në tri komuna të regjionit të Pejës, ku janë ndaluar dhe shoqëruar persona të cilët janë kompetent lidhur me këto çështje.

“Kemi bërë grumbullimin e provave ku sipas të cilave është krijuar dyshimi se të njëjtit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, kanë manipuluar me autoritetin zyrtar dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre në bazë të ligjit dhe pozitës që bartin. Në këtë drejtim kemi edhe disa dyshime se kanë hasur në konflikt interesi me persona familjarë, të cilët kanë kryer edhe disa vepra në këtë drejtim.Jemi në fazën e hershme të hetimit dhe varësisht nga rrjedha e hetimeve do tu hetojmë me kohë për çdo risi për këtë rast.4 drejtor të drejtorive të Urbanizimit, janë disa zyrtarë të planifikimit hapësinor në kuadër të këtyre drejtorive dhe një zyrtar nga drejtoria e inspektoratit nga Komuna e Pejës”, tha prokurorja.

Ajo gjithashtu u përgjigj lidhur me pretendimet e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri se këto aksione kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore komunale e cila po afrohet tashmë.

Prokurorja mohoi një gjë të tillë duke shtuar se vetëm po kryejnë detyrën e tyre të prokurorëve.

“Pretendimet e kryetarit nuk qëndrojnë, janë vetëm justifikime ne vetëm jemi në kryerje të detyrës sonë si prokurorë të shtetit.Arrestimet janë kryer për 10 persona, por në ditët në vazhdim nuk do të ndalemi pasi kemi prova edhe për më tutje dhe ky është vetëm fillimi.Në sigurimin e dosjeve, janë të gjitha dosjet e subjekteve ekonomike të cilat merren me ndërtime të objekteve afariste banesore e që në këtë fazë kemi siguruar dëshmitë që janë të kundërligjshme të lëshimit të lejeve ndërtimore ku konsiderohet se kanë thyer rregullat sa i përket këtij drejtimi”, shtoi ajo.