Subjektet politike po vazhdojnë aplikimin për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Nga KQZ-ja kanë bërë të ditur se është duke vazhduar periudha e aplikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale si dhe për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale.
“Kjo periudhë përfundon më 16 gusht. Deri më tani kemi pranuar 6 aplikime të subjekteve politike, prej tyre 3 iniciativa qytetare, një parti politike dhe 2 kandidatë të pavarur”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Subjektet që kanë aplikuar deri me 15 korrik janë 1. Partia politike Lëvizja Qytetare Vatra ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Gjilan; 2. Kandidati i pavarur Kastriot Bushi ka aplikuar për certifikim për Kryetar Komune në Kaçanik; 3. Iniciativa Qytetare Lista Guxo ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj; 4. Iniciativa Qytetare Ne Guxojmë ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj; 5. Kandidati i pavarur Agim Gjeli ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvendin Komunal në Fushë Kosovë; dhe 6. Iniciativa Qytetare Bashkë për Istogun ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Istog.