​Mbi 70 mjekë kanë lënë Kosovën për gjashtë muaj

Pacientët dhe familjarët e tyre, çdo ditë po ballafaqohen me korrupsion. Të njëjtit detyrohen të paguajnë nga xhepi për të pakta shërbime që marrin, ndërkohë që atyre po u shkelet edhe e drejta për konfidencialitet. Para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi janë përmendur të gjitha të metat e sistemit shëndetësorë, ku një qytetar ka treguar edhe për përvojën jo të mirë që ka pasur. I njëjti ka thënë se pacientëve nuk iu garantohen të drejta të barabarta në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Bashkim Isari i cili ka përvojë të gjatë në fushën e të drejtave të njeriut ka treguar për përvojën e tij me një anëtar të familjes i cili ka qenë i sëmurë me leukemi akute.

“Shembulli i imi konkret në familje për shkak të një sëmundje të keqe të leukemisë akute, më kanë ballafaquar me shumë probleme. Ato nuk janë vetëm shkelje e të drejtave të pacientëve, por janë edhe një rrezik i jetës së pacientëve të cilët janë të sëmurë. Mund të konstatoj se mbrojta, mjekimi i pacientit dhe rehabilitimi i të sëmurëve me standarde në përputhje me etikën e mjekësisë nuk është në nivele të duhura në Kosovë. Në asnjë institucion, veçmas në QKUK. Pacientëve nuk u garantohen të drejta të barabarta në ofrimin e shërbimeve mjekësore. Kemi shumë mangësi dhe lëshime për kujdes të shëndetit të njeriut. Mungojnë mekanizmat për mbrojtjen dhe sigurinë e të drejtave të pacientëve. Nuk informohen si duhet dhe sa duhet dhe nuk kanë përgjigje adekuate për shumë sëmundje”, rrëfen ai.

Kështu është shprehur ai në tryezën e rrumbullakët me temën “Të drejtat dhe siguria e pacientit” të organizuar nga Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ku veç tjerash theksoi se mungon komunikimi mes pacientit dhe mjekut, kështu i sëmuri mbetet pa informacion.

“Në godinën e Klinikës Interne, në hyrje i kemi pesë gardianë ose persona që merren me çështjen e sigurimit, herë të lëshojnë, herë nuk të lëshojnë me byrek me kos. Ndërkaq, prapa ndërtesës është një hyrje tjetër ku shkruan ‘Rrezik për vizitorët’, mirëpo është krijuar një korridor nëpër të cilën kalojnë jo vetëm pacientët, por edhe familjarët e tyre. Unë edhe i kam fotografuar”, ka treguar ai.

Ai ka lutur anëtarët e komisionit që të merren masa në këtë drejtim, meqë sipas tij këto kanë vlerë më shumë se politika.

Tutje, kryetarja e komisionit, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku tha se qëllimi i këtij takimi është që të gjithë ata që tash e sa vjet merren me sigurinë e pacientit të japin imputet e tyre në legjislacion.

“Siguria e pacientit është përkufizuar si parandalim i dëmtimit të pacientit. Theksi bie në atë që parandalon gabimet, mësohet nga gabimet që ndodhin dhe ndërtohet mbi një kulturë sigurie, që përfshihet profesionistët e kujdesit shëndetësor, strukturat shëndetësore dhe pacientin”, tha ajo.

Kryetari i Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra tha se jo të gjithë pacientët gëzojnë të drejtën për masën preventive, madje Ligji për Drejtat dhe Përgjegjësisë e Qytetarëve ka mbetur edhe në sirtarët e institucioneve.

“Sipas raportit të Progresit të vitit 2018, thuhet që 18 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk kërkojnë fare shërbime shëndetësore, në pamundësi për të paguar tarifat. Edhe këta bëjnë 350 mijë njerëz. 34 për qind kanë vështirësi në qasje në shërbime shëndetësore në pamundësi për të paguar tarifat. Pagesat nga gjepi vazhdojnë të jenë të larta përkundër rekomandimeve të Bankës Botërore dhe kjo pa dyshim që ndikon në gjepin e pacientëve. Kulmi i gjithë kësaj është edhe korrupsioni, të cilin pacienti e atakon çdo ditë dhe pengon qasjen në shërbime shëndetësore. E drejta për informim është një ABC e kujdesit shëndetësor, për të bërë qytetarin partner dhe me angazhua në kujdes shëndetësor duhet të jetë i informuar”, ka thënë Kodra.

Më tej, Kodra ka folur edhe për të drejtën e pacientit për konfidencialitet.

“Më shumë shkelet se sa respektohet. Kemi parë dje gjithë politikanët kanë shpërndarë fotografi nga Deçani, kanë paraqitur pacientë, fëmijë në klinika. Që është shkelje e privatësisë. Për mua më flagrante është shkelje e privatësisë kur në dhomat e ekzaminimit në radiologji vendosen kamera. Dhe kjo përkundër që Agjencioni për Privatësi ka konstatuar që është shkelje, ende personi që ka vendosur aty punon lirshëm”, theksoi ai.

E, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu ka folur edhe për numrin e madh të profesionistëve shëndetësorë që po dalin jashtë vendit.

“Në si punëtorë shëndetësor nuk e kemi një ligj për të drejtat dhe përgjegjësitë. Jemi i vetmi shtet që nuk e kemi këtë ligj. Më në fund ka filluar, ka filluar koncept-dokumenti… Unë mendoj se ëshë keqinterpretuar për një kohë të gjatë që punëtorët shëndetësorë po kërkojnë paga. Problemi kryesor është te kushtet e punës që automatikisht ndikon në cilësinë e shërbimeve dhe në siguri. Kushtet e punës janë ato që mjekët po shkojnë jashtë. Shifrat e ditës së sotme janë 72 mjekë për gjashtë muaj, kjo deri në fund të vitit do të jetë 150 mjekë”, është shprehur ai.

Ndërsa, kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi ka theksuar faktin se shumë pacientë nuk kanë qasje në barna, e kjo edhe për shkak se shumë prej barnatoreve nuk janë të furnizuar me barna të nevojshme.

“Çështja e parë është qasja në barna. A ka pacienti qasje në barna? Në shumë raste nuk ka për shkak se Kosova është vend i vogël dhe kompanitë farmaceutike botërore nuk kanë interes që të regjistrojnë barnat e tyre në Kosovë dhe kjo pastaj ka bërë që udhëzimi administrativ 2/2014, në atë kohë kemi prezantuar një udhëzim të tillë dhe është miratuar nga Ferid Agani, që ua ka mundësuar pacientëve të kenë qasje dhe ajo siguri që kemi dalur në atë kohë ka qenë që këto raste kur barnat janë të paregjistruara të vijnë direkt nga Bashkimi Evropian. Sepse ky udhëzim ofron mundësinë e importit për barnat që mungojnë në Kosovë, vetëm nga Bashkimi Evropian”, ka theksuar Jakupi.

Ndërkohë që gjatë ditëve të fundit, me qindra qytetarë në Deçan janë helmuar, nga organizata joqeveritare “Konsumatori”, kanë bërë thirrje që sa më parë të hetohet ky rast.