​ATK tejkaloi planin e të hyrave në gjysmën e parë të vitit për 18%

Administrata Tatimore e Kosovës raportoi rekord të hyrash për gjysmën e parë të këtij viti, duke tejkaluar planin për 18 përqind. Ndërsa, qeveria me rishikim të buxhetit ka rritur projeksionin për ATK-në për 36 milionë euro për pjesën e dytë të vitit.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një konferencë për media theksoi se në periudhën janar-qershor të këtij viti, kjo administratë inkasoi të hyra 290.3 milionë euro.

Murtezaj theksoi se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ATK ka shënuar rritje për 74.3 milionë euro. Sipas tij, kjo ngritje e të hyrave ka ardhur edhe si rezultat i rritjes së qarkullimit të bizneseve.

“Sa i përket të hyrave janar-qershor 2021, ATK ka arritur një rekord e objektives së saj, që është plani bazuar në ligjin e Buxhetit, duke arritur që të tejkaloi rreth 18 përqind në raport me planin si dhe të tejkalojmë të hyrat e realizuara në raport me vitin 2020 për rreth 74.3 milionë euro. Këto shifra tregojnë që ATK-ja është në rrugë të mirë të rritjes së performancës së saj dhe njëkohësisht edhe të ofrimit të sigurisë për Qeverinë në planifikimin dhe realizimin e shpenzimeve buxhetore”, theksoi Murtezaj.

Sipas drejtorit Murtezaj, evazioni tatimor pa ndëshkime dhe interes arrin 2 miliardë e 35 milionë e 833 euro. Teksa ka thënë se sektorët që po iu shmangen më së shumti tatimeve janë ai i ndërtimtarisë, restoranteve dhe hotelerisë.

“Ndërtimtaria është sektori apo industria me riskun më të lartë për evazion fiskal, pastaj është akomodimi apo shërbimi ushqimor siç janë restorantet, kafiteritë, hotelet, si dhe punësimi jo formal”, tha ai.

Megjithatë, me rishikim të buxhetit 2021, projeksionet e ATK-së janë rritur prej 36 milionë eurosh për pjesën e dytë të mbetur të vitit 2021.

Për këtë rritje të projeksioneve deri në fund të vitit, Murtezaj ka mohuar se do të ushtrojnë presion ndaj bizneseve, por shtoi se do të zbatojnë drejt ligjin në raport me të gjitha bizneset.

“Me draftin aktual të rishikimit të buxhetit, jemi të informuar se kemi një target të rritur nga 520.2 milionë euro që ka qenë me planin e fillim vitit, tani kemi 556 ose rreth 36 milionë euro që është rritur, por me gjendjen aktuale që kemi, ne pa dyshim që edhe këtë targetin e rritur tani me rishikim të buxhetit, ne gjithsesi se do të arrijmë, por njëkohësisht synimet tona janë që të vendosim një plan më ambicioz dhe për vet institucionin, me qëllim që rritjet e të hyrave të jenë ende më të larta. Jo, duke penalizuar bizneset, por duke ditur se kemi evazion fiskal ende të shtrirë në masë të madhe. Do të kemi veprime më të mëdha në zbatim të drejt të ligjit, nuk e kisha quajtur presion, por zbatim më të drejt të ligjit në raport me të gjitha bizneset”, tha ai.

Murtezaj tha po ashtu se në këtë periudhë në kuadër të aktiviteteve për mbledhjen e detyrueshme, ATK ka grumbulluar 72.9 milionë euro borxhe.

Drejtori i kësaj Administrate foli edhe për hetimet tatimore, që sipas tij kanë qenë 39 aktivitete për shmangie tatimore, dy bastisje dhe 22 raste të hapura nën dyshimin e shmangies tatimore.

Në këtë periudhë, ATK ka lëshuar 165 gjoba për mallra pa origjinë dhe 2 mijë e 170 gjoba mandatore.