Një gazetar turk sulmohet jashtë shtëpisë së tij në Berlin

Gazetari turk, Erk Acarer, tha të enjten se është sulmuar jashtë shtëpisë së tij në Berlin të Gjermanisë. Ai tha se sulmuesit i thanë të ndalojë së shkruari.

Acarer është një nga gazetarët kritikë të Ankarasë që jeton në mërgim.

Përmes një videoje të postuar në rrjetin social Twitter, gazetari turk tha se sulmi ndaj tij ndodhi, pasi tre sulmues të armatosur i zunë pritën në oborrin e ndërtesës ku banon, raporton AFP.

Një njësi e policisë gjermane që heton krimet politike ka marrë përsipër hetimin e rastit. Kolumnisti i gazetës së majtë Birgun të Turqisë, jeton në Gjermani që nga viti 2017. Ai akuzoi për sulmin partinë për Drejtësi dhe Zhvillim në Turqi, e cila është në pushtet.

Autoritetet turke kanë lëshuar disa urdhra arrestimi kundër Acarer në lidhje me artikujt e tij dhe mesazhet që ka postuar në mediat sociale, duke përfshirë një akuzë për “fyerje ndaj presidentit”.

Një gazetar tjetër disident turk, Can Dundar, tha përmes një postimi në Twitter se sulmi ndaj gazetarit është një “mesazh i drejtpërdrejtë” nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, për të treguar se Ankaraja “mund të sulmojë një gazetar në Berlin i cili është kritik ndaj regjimit”.

Grupet e të drejtave të njeriut akuzojnë vazhdimisht Turqinë për minimin e lirisë së mediave duke arrestuar gazetarë dhe mbyllur media që janë kritike ndaj pushtetit.