Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Mal të Zi, Jakov Milatoviq, gjatë takimit ministror me titull “Rruga drejt Romingut të Lirë në Ballkanin Perëndimor” që u mbajt sot në Podgoricë, deklaroi se romingu falas është fryt i dialogut dhe bashkëpunimit në rajon.
“Heqja e tarifave të romingut në Ballkanin Perëndimor nga 1 korriku është një arritje e rëndësishme për Malin e Zi si një nga nënshkruesit e kësaj Marrëveshjeje, e cila tregon qartë se bazat e zhvillimit ekonomik mund dhe duhet të ndërtohen mbi dialogun dhe bashkëpunimin e përbashkët”, Qeveria e re e Malit të Zi drejtohet nga i njëjti parim dhe qasje, jo vetëm në drejtim të pranimit në BE-së, por edhe në drejtim të rimëkëmbjes më të shpejtë ekonomike të vendit tonë”.
“Unë jam veçanërisht i kënaqur që kjo iniciativë është realizuar në fillim të sezonit turistik, sepse ofron përfitime të mëdha, jo vetëm për qytetarët tanë, por edhe për mysafirët tanë nga rajoni të cilët do të jenë në gjendje t’i shijojnë pushimet e tyre pa u shqetësuar për koston e shkëmbimit të thirrjeve dhe mesazheve me të dashurit dhe miqtë e tyre në shtëpi. Kjo është diçka për të cilën të gjithë qytetarët e vendeve tona do të jenë vërtet të lumtur”, theksoi Milatoviq, shkruan gov.me, transmeton Klan Kosova.
Ai u kujtoi pjesëmarrësve rëndësinë dhe mundësitë e ofruara nga dixhitalizimi dhe përparësitë e komunikimit dixhital, i cili ka potencialin më të madh për rritje ekonomike, pikërisht sepse do t’u mundësojë klientëve të shërbimeve dixhitale t’i përdorin ato pa ndërprerje dhe pa marrë parasysh ku janë në rajon.