Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës një diskutim për infermierët të cilëve iu është ndërprerë kontrata e punës pati në mes ministrit të tanishëm të Shëndetësisë, Arben Vitia si dhe ish-ministrit, tanimë deputet Armend Zemaj.
Ministri Vitia deklaroi se infermierët në fjalë ishin nga projekti i Bankës Botërore dhe kanë lidhur kontrata kur ka pasur nevoja të jashtëzakonshme në klinika për shkak të numrit të madh të pacientëve.
“Këto kontrata janë referuar për ish-ministrit, besoj është dashur të pyesni më herët.Kanë qenë kontrata për një afat të caktuar dhe aty e kanë pasur të caktuar si të tillë.Nëse ministri apo kushdo iu ka premtuar se mund të iu vazhdohet ky afat atëherë ata janë mashtruar.Kemi respektin maksimal për secilin nga këta infermierët që në kohërat më të vështira kanë kontribuar, por ky është realiteti.Ata patën një kontratë me Bankën Botërore dhe siç mund ta dini nga Marrëveshja Ndërkombëtare nuk mund të kalojnë në buxhetin e Kosovës.Përndryshe ka pasur një konkurs të ri ku këta infermierë kanë mundur të aplikojnë. Me uljen e numrit të pacientëve dhe vaksinimin tashmë numri i nevojës ka qenë në ulje”, tha Vitia.
Ndërsa me këtë rast ka reaguar ish-ministri Zemaj duke e quajtur ministrin Vitia mashtrues ordiner.
Zemaj tha se ministri në fjalë nuk i ka bërë asnjë falënderim këtyre infermierëve, por vetëm i kanë shkëputur kontratat.
“Ministri i Shëndetësisë aktual më ftoj në diçka në të cilën më vjen keq për fjalorin e tij “tipik mashtrus” madje ordiner.Këtë po e faktoj pikërisht në atë që tha dhe potencoj vetë.Angazhimi i stafit mjekësor është bërë në bazë të ligjit për parandalimin e virusit COVID-19.Ky angazhim nënkupton për nevoja urgjente, nëse ky ministri gjeni deklaron ligjërisht që pandemia ka përfunduar në Kosovë atëherë nuk do të ketë nevojë tutje për angazhim të këtij stafi, e dyta ministër ne nuk e kemi mashtruar askënd siç po bëni ju.Ata nuk janë analfabet por janë të gjithë me shkollim adekuat dhe me kontrata e dinë çfarë kanë nënshkruar dhe sa ka qenë afati. Nuk e di pse e keni këtë qasje, ndoshta nga presioni dhe nga padituria ose nga nënvetëdija juaj që keni bërë diçka të pandershme duke i shkëputur kontratën me një njoftim skandaloz dhe pa asnjë falënderim”, tha Zemaj.
Zemaj gjithashtu se nuk ka pasur asnjë premtim sa i përket zgjatjes së këtyre kontratave.
“Spaku me një falënderim moral për të gjithë ata që kanë kontribuar në sektorin tonë të shëndetësisë. Jo të huhet faji se a ka pasur premtime apo jo. Asnjë premtim, asnjë gjë s’ka pas vetëm angazhim në parandalimin e pandemisë COVID-19”, shtoi ai.
“Përveç se kërkova falje në emrin e juaj e unë jam ministër i Shëndetësisë tani dhe në mënyrën si e bëni ju sinqerisht është për të ardhur keq. Po e përsëri ju si ministër e dini qartë si kanë qenë kontratat e tyre, është për të ardhur keq se si mundoheni ti manipuloni politikisht këta infermierë që sinqerisht kanë shërbyer në mënyrën më të mirë gjatë kësaj kohe. Më 23 mars kur e kemi marrë detyrën kanë qenë mbi 1 mijë pacientë dhe natyrisht infermierët kanë qenë të domosdoshme aty dhe këtu s’ju lë faj as juve as ministrisë në atë kohë. Tani janë më pak se 100 pacientë në institucionet tona”, shtoi ministri Vitia.