​Osmani në Austri diskuton për Agjendën e Gjelbër

Në kuadër të vizitës zyrtare në Austri, Presidentja Vjosa Osmani u takua me ministren për Veprim Klimatik, Mjedis, Energji, Mobilitet, Inovacion dhe Teknologji, znj. Leonore Gewessler, me të cilën ka biseduar për Agjendën e Gjelbër, një prej temave kryesore gjatë kësaj vizite.

Në këtë takim, Presidentja Osmani theksoi se institucionet e reja të Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për një të ardhme të gjelbër e të qëndrueshme. Sipas saj, pandemia ka dëshmuar se sa i rëndësishëm është kujdesi ndërmjet aktivitetit tonë të përditshëm ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit, në funksion të shëndetit edhe për qytetarët.

Presidentja Osmani theksoi po ashtu që Kosova mbetet e përkushtuar për të jetësuar zotimet në kuadër të Deklaratës së Sofjes për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Në këtë kontekst, tha se politikat e saj do të udhëhiqen nga parimet e Marrëveshjes së Parisit, edhe pse Kosovës i është mohuar mundësia e ratifikimit të saj.

Sipas Presidentes Osmani, tranzicioni energjetik, menaxhimi i mbeturinave, dhe ruajtja e mirëmenaxhimi i resurseve ujore, mbeten disa prej sfidave kryesore në vend.

Përderisa institucionet do të angazhohen për të siguruar zgjidhje të qëndrueshme, ajo e ftoi ministren dhe partnerët nga Bashkimi Evropian për ta ndihmuar Kosovën në këtë rrugëtim, në aspektin e ekspertizës, por edhe në atë financiar.