Vjena stoliset me flamuj të Kosovës para takimit të Vjosa Osmanit me liderët e Austrisë

Flamuj të shtetit të Kosovës krahas flamujve të shtetit të Austrisë janë vendosur në shumë objekte të njohura në Vjenë. Në shenjë respekti dhe miqësisë mes dy shteteve, shteti austriak ka bërë përgatitje për pritjen e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot do të nisë një vizitë zyrtare në Austri.

Kjo vizitë e Osmanit vjen me ftesën e homologut të saj austriak, presidentit Alexander Van der Bellen.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim me Alexander Van der Bellen, Osmani do të diskutojë për mbështetjen e Austrisë ndaj Kosovës në rrugën evropiane, procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimit të organizatave ndërkombëtare si dhe kontretizimin e bashkëpunimit për avancimin e Agjendës së Gjelbër.
Portali austriak ots.at shkruan për një pjesë të agjendës se presidentes Osmani.

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu do të pritet nga Presidenti Federal Alexander Van der Bellen me nderime ushtarake në Burghof, të martën, 22 qershor 2021 në 10.30 të mëngjesit. Sipas programit në orën 11.00 të mëngjesit do të jetë një takim pune. Ndërkohë, konferenca për shtyp midis dy krerëve të shteteve do të zhvillohet në orën 12.00 të ditës në sallën ceremoniale, përcjell albinfo.at.

“Presidentja Osmani do të takohet edhe me kancelarin Sebastian Kurz, sikurse edhe me ministren për veprime klimatike, mjedis, energji, mobilitet, inovacion dhe teknologji Leonore Gewessler me të cilët përveç diskutimit të aspekteve politike do të shqyrtohet edhe mundësia e bashkëpunimit në projekte konkrete ndërshtetërore”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se gjatë qëndrimit në Austri, presidentja Osmani do të takojë edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, ndërsa është paraparë takim me Shoqatën e Miqësisë Austri – Kosovë, diasporën kosovare si dhe me Odën Ekonomike Austriake.

“Ndërkaq në Akademinë Diplomatike të Vjenës, Presidentja Osmani do të mbajë një ligjëratë me temën: Forcimi i shtetësisë së Kosovës- Sfidat dhe Storjet e Suksesit”, thuhet në fund të njoftimit.