Kosova gjendet në listën e shteteve që do të përfitojnë nga plani i SHBA-ve për shpërndarjen e miliona dozave të vaksinës kundër COVID-19.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar për shpërndarjen e miliona dozave të vaksinës kundër COVID-19 në mbarë botën, duke e përmendur edhe Kosovën në listën e shteteve që do të përfitojnë nga ky plan.
“Sot, Administrata Biden-Harris njofton për listën shpërndarëse për 55 nga 80 milionë dozat nga rezervat e Amerikës që Presidenti Biden është zotuar se do t’i ndajë deri në fund të qershorit në shërbim të përfundimit të pandemisë në nivel global”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
“Përafërsisht 14 milionë – ose 25 për qind e këtyre 55 milionë vaksinave – do të ndahen ne prioritetet rajonale dhe marrësit e tjerë”, thuhet në paragrafin ku, në mesin e shumë shteteve, përmendet edhe Kosova.
“Ndarja e miliona vaksinave të ShBA-së me shtetet e tjera jep shenjë për një zotim të madh nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara”, thuhet më tej në deklaratë.
“Për të gjitha këto doza, ata që janë më së shumti në rrezik, si punëtorët shëndetësorë, duhet të jenë prioritet, duke u mbështetur në planet kombëtare për vaksina”, theksohet në deklaratë.