Partia Demokratike e Kosovës pritet që më 3 korrik të këtij viti të zgjedh kryetarin e ri të partisë.
Në këtë pozitë deri më tani ka shërbyer si ushtrues detyre, Enver Hoxhaj, i cili njëkohësisht ishte edhe kandidat i partisë për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Hoxhaj erdhi në krye të partisë si ushtrues detyre pas largimit të ish-kryetarit, Kadri Veseli, i cili udhëtoi për në Hagë me ftesë nga Gjykata Speciale dhe po vazhdon të mbahet në paraburgim atje.
Vendimi për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të partisë së PDK-së është marrë dje dhe është bërë i ditur nga vetë u.d. i kryetarit të kësaj partie, Enver Hoxhaj.
Ai ka thënë dje se mohimi i padrejtë që PDK-ja të ketë në gjirin e saj Kadri Veselin, pas aktakuzave të pabaza ndaj tij, ka sjellë një situatë sa të rëndë emocionale, aq edhe të vështirë në ecjen e partisë.
E që nga njoftimi i djeshëm për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri, si duket PDK-në e ka kapluar një heshtje e brendshme.
Deri më tani nga kjo parti kanë reaguar vetëm Enver Hoxhaj dhe ish-ambasadorja Vlora Çitaku.
Çitaku, e cila është përfolur në medie si një kandidate e mundshme për kryetare të partisë, përmes një statusi në Facebook ka deklaruar se PDK-ja ka bërë hapin e duhur duke vendosur për të shkuar në zgjedhje për lidershipin e partisë.
Ajo ka thënë se përtej ndryshimeve nominale, janë të rëndësishme edhe ndryshimet programore dhe strukturore në parti.
Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë sot për lajmi.net se kandidati për kryetar të partisë duhet të plotësojë standarde dhe të ofrojë garancë për të fituar zgjedhjet dhe të reformojë disa çështje brenda partisë.
I pyetur rreth kandidaturave të përfolura së fundmi për kryetar partie si Memli Krasniqi, Uran Ismaili, Vlora Çitaku por edhe ish-ushtruesin e detyrës së ministrin të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakajn, Haliti ka thënë se nuk mund të flas pa u zyrtarizuar kandidaturat, ndërsa fillimisht nuk e ka njohur Gent Cakajn.
Kujtojmë se deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga ndonjë zyrtar i PDK-së për Konventën që pritet të mbahet muajin tjetër.