Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës në mbledhjen e djeshme ka marrë vendimin për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë më 3 korrik 2021.
Mirëpo, 10 ditë para mbajtjes së kësaj konventë asnjë kandidat nuk e ka shpallur kandidaturën për kryetar partie.
Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica thotë se në këtë konventë përveç që do të zgjidhet kryetari i ri partisë, njekohësisht do t’i ipen të gjitha kompetencat kryetarit për të formuar kyresinë e re.
“Unë besoj fuqishëm se PDK do të del jashtëzakonisht e fuqishme nga kjo konventë dhe rezultati i saj do të shihet më 17 tetor në zgjedhjet lokale. PDK do të kthej shumë komuna”, ka thënë Reçica për “Indeksonline”.
Tutje, ai thotë se gara për të parin e partisë është e hapur dhe se do të varet nga programi që do të prezantojnë.
Ai që do ta ketë programin më të mirë, thotë se do ta ketë edhe mbështetjen e tij.
I pyetur se a duhet PDK të mbajë zgjedhje të parakohshme për sa kohë që nuk ka një vendim përfundimtar nga Haga për Kadri Veselin, ai thotë se ky është vendim unik i partisë dhe nuk ka asnjë dilemë që PDK duhet të organizoj konventën zgjedhore të 3 korrikut.
Ndryshe, emrat si Enver Hoxhaj, Memli Krasniqi dhe Vlora Çitaku janë përmendur si kandidatët më potencial për të marrë drejtimin e partisë.