Në mbledhjen e qeverisë është miratuar projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2020 ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Projektligji i prezantuar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i mundëson Kosovës të përfitojë 90.2 milionë euro në formë të projekteve nga Bashkimi Evropian.
Bislimi ka listuar projektet për të cilat do të destinohen këto mjete, ku mbi 10 milionë euro do të adresohen për qëllime të luftimit të pasojave të pandemisë Covid-19.
“Sa i përket përmbajtjes ratifikimi i kësaj marrëveshje mundëson investime të konsiderueshme në disa sektor, përkrahje të paalokuar në shumën prej 10.6 milionë euro që do të përdoren sipas nevojës kryesisht për qëllime të luftimit të pasojave të pandemisë Covid-19. Përkrahje për qasjen e Kosovës në programet e Bashkimit Evropian 0.5 milionë euro pastaj përkrahje për sundimin e ligjit dhe të drejtat fondamentale në shumën prej 10 milionë euro, përkrahje për sistemin e menaxhimit të mbeturinave 16 milionë euro nga BE, përkrahje për ngrohjen qendrore të kryeqytetit në vlerë prej 17.6 milionë euro që kombinohen me 7.4 milionë euro bashkëfinancim dhe përkrahje për sektorin e ujitjes me 10 milionë euro”, tha Bislimi.
Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2020 ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian është proceduar sot në Kuvend dhe kërkon mbështetjen me 2/3 e deputetëve të parlamentit.