Qendra e re e dokumentacionit në Berlin i kushtohet historisë së dëbimeve nga vendlindja në të gjithë botën. Kjo qendër kujton edhe 14 milionë gjermanët, që humbën vendlindjen pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjithçka u zhvillua ndryshe. Lufta i shkatërroi të gjitha planet e Stefan Fergerit, kur ishte 14 vjeç. Në vend të jetës në konvikt erdhi dëbimi. Familja e tij u largua nga veriu i Serbisë, atëherë pjesë e Jugosllavisë nga frika e Ushtrisë së kuqe. Stefani “më i madhi” në grupin e refugjatëve, kishte detyrën e drejtimit të automjetit deri në Austri. Kjo është një nga historitë që rrëfehen në Qendrën e Arratisë, Dëbimit dhe Pajtimit. Ky vend të kujton faqen më të errët të historisë gjermane dhe pasojat që solli ajo. Rreth 1 kilometër e gjysmë larg vendit më të rëndësishëm të kujtesës për mizoritë e nazistëve, monumentit që kujton Holokaustin. Të hënën (21.06) këtë qendër e inaguron zyrtarisht kancelarja Angela Merkel.
“Të kuptosh, se çfarë do të thotë humbje”
Studiuesja, Gundula Bavendamm është drejtuese e Qendrës së Dokumentacionit nga viti 2016. Ajo e shikon këtë qendër si një vend të kujtesës dhe të mësimit të historisë. “Në qendrën e dokumentacionit bëhet fjalë për arratinë dhe dëbimin e gjermanëve, por edhe të shumë njerëzve të tjerë.” Një fjali simbol qëndron në krye. “Të kuptosh, se çfarë do të thotë humbje.”
Në katin e parë të ekspozitës së rregullt vizitorët kanë mundësi të ndjekin hisotrinë europiane dhe botërore të migracionit të detyruar, deri në dëbimin e njerëzve nga Siria, apo të myslimanëve Rohinxha nga Mianmari budist.
Tek fati i 14 milionë gjermanëve të dëbuar pas Luftës së Dytë Botërore në katin e dytë të ekspozitës mëson vetëm pasi ke kaluar stacionet e informimit për kohën e nazizmit, Holokaustin dhe rolin e aleatëve. Shkaku dhe pasoja në histori përshkruhen kështu në mënyrë sa më ilustrative.
Të dëbuarit nuk ishin të mirëpritur në perëndim
Faza e tretë e ekspozitës i kushtohet ardhjes dhe shpërndarjes së personave të dëbuar në zonat e pushtuara nga aleatët në Gjermani. Në ekspozitën prej 5000 metrash katrorë gjenden eksponate të ndryshme, video të dëshmitarëve të kohës dhe tabela informuese.
Gjermanët nazistë ndezën një luftë shfarorëse, që u kushtoi jetën miliona njerëzve. Kur lufta mori fund, shumë gjermanë nga Lindja, edhe shumë polakë e hungarezë u dëbuan. Të ashtuquajturit “të dëbuarit nga vendlindja” duhet të merrnin arratinë drejt perëndimit në katër zonat e pushtuara nga fuqitë fituese. Në zonën sovjetike për shembull pas lufte gati një e treta e banorëve ishin refugjatë. Të mirëseardhur ata shpesh nuk ishin, në një kohë që pas lufte sundonte kudo varfëria dhe uria.
Shumica e të dëbuarvë në Gjermaninë perëndimore u organizuan në shoqata të ndryshme, shpesh me orientim konservator. Në vitet e para të Republikës Federale ata përbënin 20% të votuesve. Në Gjermaninë lindore, RDGJ të dëbuarit quheshin “të zhvendosur”, nga vitet 50-të tema e të dëbuarve në RDGJ u kthye në një temë tabu.
Grindje e vazhdueshme për kujtesën historike
Hapja e ekspozitës tani i ngjason një mrekullie të vogël. 22 vite kaluan që nga ideja e parë deri tek ekspozita përfundimtare. Kjo vonesë lidhet me debatin mjaft kontrovers që shkakton tema e të dëbuarve dhe me Erika Steinbach. Deputetja e CDU-së nga viti 1998-2014 ishte një drejtuese me influencë e Shoqatës së të Dëbuarve, (BdV) me rreth 1,3 milionë anëtarë. Që në fund të shekullit të kaluar ajo kishte idenë e themelimit të qendrës, por për vendin dhe konceptimin e kësaj qendre u ndez një debat i ashpër, që çoi edhe në pakënaqësi diplomatike me Çekinë dhe sidomos me Poloninë. Kjo qendër u pa me skepticizëm, sepse kishte dyshime, që gjermanët kështu mund të stilizojnë veten si viktima dhe të largojnë vëmendjen nga koha e nazizmit.
Në vitin 2008 Bundestagu vendosi krijimin e fondacionit. Erika Steinbach humbi influencën, në vitin 2017 ajo u largua nga CDU-ja dhe drejtuesja e qendrës, Gundula Bavendamm nuk e ftoi ish-deputeten e CDU-së në ceremoninë e hapjes së qendrës, e cila tani mbështet populistët e djathtë të AfD-së.
Mbështetje nga politika
Në këshillin e fondacionit janë të përfaqësuar qeveria, kishat, shoqata e të dëbuarve, por edhe politikanë, si deputeti i CDU-së, Stephan Mayer. Për Deutsche Wellen ai thotë, se ngritjen e kësaj qendre ai e ka për zemër si nip i gjermanëve sudetë. Sipas tij kjo qendër kontribuon në “pajtimin e gjermanëve me veten”. Të dëbuarit kanë tani një vend ku “kujtohet fati i miliona vetëve dhe zbardhet ky kapitull i fundit i Luftës së Dytë Botërore.”
Në konferencën e shtypit drejtuesja, Gundula Bavendamm u pyet se pse zgjati kaq shumë ngritja e qendrës. “Për kapituj të dhimbshëm” të historisë së tyre, tha drejtuesja, “shoqëritë kanë nevojë për një kohë të caktuar.”
Nga 23 qershori qytetarët mund ta vizitojnë falas Qendrën për Arratinë, Dëbimin dhe Pajtimit në Berlin./DW