Televizioni shtetëror dhe kandidatët rivalë thanë se ultrakonservatori Ebrahim Raisi është në rrugën drejt fitores në zgjedhjet presidenciale të Iranit, që u mbajtën një ditë më parë.
Votat ende janë duke u numëruar për zgjedhjet presidenciale, ku pjesëmarrja e votuesve ishte e ulët.
Sipas zyrtarëve zgjedhorë, Raisi, 60-vjeç, klerik dhe kreu i gjyqësorit në Iran, deri më tani ka fituar 62 për qind të votave, teksa janë numëruar 17.8 milionë vota nga 28.6 milionë vota.
Kreu i komisionit zgjedhor, Jamal Orf tha se Raifi deri më tani ka 14 milionë vota më shumë sesa kandidati i dytë, Mohsen Rezai.
Zyrtarët nuk kanë specifikuar se sa persona kanë votuar në zgjedhje, por thanë se shumica e votave tashmë janë numëruar.
Rezultatet preliminare pritet të dalin pas disa ditësh, por fituesi i zgjedhjeve gjerësisht është ditur, pasi shumë kandidatë janë diskualifikuar nga gara dhe vetëm shtatë nga qindra kandidatë, u lejuan të garonin.
Pjesëmarrja në zgjedhje është vëzhguar nga afër nga vëzhguesit, të cilët zgjedhjet i panë si një referendum, në shtetin me ekonomi të goditur rëndë nga sanksionet që Shtetet e Bashkuara vendosën tri vjet më parë.
Bankieri i Bankës Qendrore, Abdolnaser Hemmati, ishte kandidati i vetëm i moderuar që mori pjesë në garën zgjedhore, pasi në ditën e fundit të fushatës, kandidatët e tjetër të moderuar u tërhoqën nga gara. Më 19 qershor, ai përmes një postimi në Twitter, uroi Raisin për fitoren në zgjedhje.
“Urime për presidentin e Republikës Islamike të Iranit, Ajatollah Raisi. Shpresoj që qeveria e 13-të do të sjellë lavdi për Iranin, do të përmirësojë jetesën dhe mirëqenien e kombit të madh të Iranit”, tha ai.
Shumë rivalë potencialë u ndaluan që të marrin pjesë në zgjedhje nga Këshilli i Gardianëve, që mbikëqyret nga lideri suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Lideri suprem, Ajatollah Ali Khamenei duke votuar në zgjedhjet presidenciale.
Presidenti i deritanishëm i Iranit, Hassan Rohani, i cili nuk kishte të drejtë të garonte për një mandat të tretë, ka sugjeruar se nuk do të ketë nevojë për raund të balotazhit.
“I uroj qytetarët për zgjedhjen e tyre”, tha Rohani, pa specifikuar se kush sipas tij ka fituar zgjedhjet.
Edhe dy kandidatët e tjerë të linjës së ashpër, Rezai dhe Amirhossein Ghazizadeh-Hashemi, po ashtu kanë uruar Raisin për fitoren në zgjedhje.
Raisi, ka qenë një nga gjyqtarët më 1988, që ka mbikëqyrur një seri të gjykimeve të shpejta, ku mijëra të dënuar politikë u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan.
Organizatat e të drejtave të njeriut e shohin atë fajtor për krime kundër njerëzimit dhe Raisi është pjesë e sanksioneve të SHBA-së.
Analistët kanë sugjeruar se një fitore për Raisin do të sinjalizonte rritjen e linjës së ashpër kundër Perëndimit, që do të shkonte në dëm të pragmatistëve, siç është Rohani, i cili ka qenë arkitekti kryesor i marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, ku kufizohet programi bërthamor i Teheranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Si Teherani po ashtu edhe Uashingtoni kanë thënë se duan ta ringjallin marrëveshjen, nga e cila, më 2018, u tërhoq SHBA-ja. Bisedimet për ringjalljen e marrëveshjes rinisën në muajin prill.
Raisi ka sugjeruar se ai është në favor të vazhdimit të këtyre bisedimeve.
Por, lideri suprem, Khamenei ka thënë se ai dëshiron “veprime dhe jo premtime” nga pesë fuqitë botërore, nënshkruese të marrëveshjes. Teherani ka nisur të shkelë kushtet e marrëveshjes, duke rritur prodhimin e pasurimit të uraniumit në nivele të larta të pastërtisë.
Ndërkaq, si pasojë e sanksioneve ekonomike të SHBA-së, inflacioni në Iran është pothuajse 40 për qind dhe shkalla e papunësisë është 11 për qind.